Bundesliga, Wolfsburgu i jep leksion Bayernit

Sporti

Bundesliga, Wolfsburgu i jep leksion Bayernit

Më: 30 janar 2015 Në ora: 22:37

Humbja dhe aq më tepër në shifrat 4-1 nuk ishte fillimi që pritej nga Bajerni i Mynihut në 2015. Mjeshtërit e lojës në Gjermani morën një leksion futbolli nga Wolsfburgu në javën e parë të fazës së dytë, që nuk kompromenton shumë pozitat e tyre në krye, por që është një humbje që djeg, për rezultatin por dhe për faktin se u shkaktua nga skuadra që gjendet pas shpinës së tyre në renditje. Bavarezët u shfaqën tërësisht të shpërfytyruar krahasuar me ekipin e 2014 dhe zërat për një largim të mundshëm të Guardiolës në fund të sezonit por dhe ngarkesa fizike e fazës përgatitore mund të kenë lënë shenjën e tyre. Një belg dhe një holandez ishin ata që rrëzuan në tapet kampionët e Gjermanisë, me Dost që shënoi pas vetëm katër minutash duke i dhënë të tijve fillimin e përsosur.

Nëse nuk do të ishte Bajerni i Mynihut në fushë, mund të mendohej se goli ndikoi dhe psikologjikisht, pasi bavarezët në vend që të ndizeshin pas disavantazhit u fikën, me Wolfburgun që dukej sikur fluturonte në fushë, aq sa përpara pushimit Dost me një goditje fantastike në hyrje të zonës shënoi dhe golin e 2-0.

Kundërsulmi ishte arma e fortë e vendasve dhe në të 53-tin, De Bruyne përfitoi pikërisht nga një zbritje e shpejtë përpara për të shënuar golin e 3-0.

Bernat shkurtoi për Bajernin me pak fat, por për përmbysje as që bëhej fjalë, pasi De Bruyne me një finte dehëse në zonë e një goditje të fortë mposhti për herë të katërt Neuer.

4-1 rezultati përfundimtar me diferencat në renditje që redukton në 5 pikë në favor të Bajernit, dhe pse bavarezët e vërtetë në fushë në këtë duel u shfaqën lojtarët e Wolfburgut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat