Vajushi te Chievo, pritet firma

Sporti

Vajushi te Chievo, pritet firma

Më: 30 janar 2015 Në ora: 22:36

Armando Vajushi është shqiptari i radhës që do të luajë në Serie A. Shkodrani aktualisht gjendet në Verona dhe këtë të shtunë pritet të zyrtarizohet si një lojtar i Chievos. Gjatë ditës ai kreu vizitat mjekësore me klubin italian duke hedhur kështu hapin e parë drejt një lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij. Kartonin e futbollistit e zotëron për momentin ekip bullgar i Liteksit, me të cilin ai luan që prej vitit 2012, ku në 101 ndeshje ka shënuar 26 gola. Vajushi ka udhëtuar drejt Veronës bashkë me menaxherin e tij për të mbyllur marrëveshjen.

Gjithsesi nga ajo që mësohet nga mediat italian, futbollisti mund të huazohet ndoshta te një skuadër e Serisë B, duke qenë se te veronezët ka për momentin një mbipopullim në pozicionin e shkodranit. Vajushi ka luajtur në total 6 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare duke shënuar dhe 1 gol, në miqësoren e qershorit ndaj San Marinos të fituar 3-0. Në Serie A, Vajushi është shqiptari i 7 pas Canës, Berishës, e Strakoshës që aktivizohen te Lacio, por dhe Lilës së Parmës, Elseid Hysajt të Empolit dhe Migjen Bashës së Torinos.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat