Seferi-Glowacki, ballafaqimi i fundit para duelit

Sporti

Seferi-Glowacki, ballafaqimi i fundit para duelit

Më: 30 janar 2015 Në ora: 22:34

Nuri Seferi dhe Krystofz Glowacki patën ballafaqimin e fundit mes tyre në prag të ndeshjes së kësaj të shtune në Torun. Në sallën e peshimit, Tajzoni Shqiptar dhe kundërshtari i tij polak u vunë kundër njëri-tjetrit për vështrimin e fundit psikologjik, përpara se të përplasin dorezat mbi ring. Në eventin që u pasqyrua gjerësisht dhe në mediat polake, Nuri Seferu u prit me entuziazëm në sallë, aq sa u thirr dhe me nofkën e tij "Tajzoni Shqiptar".

Me 90 kilogramët e tij gjatë peshimit, Seferi rezultoi 750 gramë më i rëndë se Glowacki, që peshonte 89 kilogram e 250 gramë. Dueli i të shtunës do të jetë tejet i rëndësishëm për Seferin, që kërkon titullin botëror në versionin WBO për më tepër ndaj një kundërshtari që në karrierën e tij ka 23 fitore në 23 ndeshje, 15 prej të cilave në k.o. Në një intervistë të dhënë për mediat vendase, Seferi vlerësoi së tepërmi kundërshtarin e tij, duke e cilësuar si një boksier shumë të fortë por theksoi se ai ngjitet në ring vetëm për të fituar. Seferi gjithashtu u shpreh i kënaqur për faktin që do të ketë shumë tifozë shqiptarë në Torun për këtë përballje. Ndeshja mes Seferit dhe Glowackit, do të transmetohet këtë të shtunë në orën 19:30 në kanalin Supersport 1.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat