Kupa e Afrikës, Guinea në çerekfinale pasi fiton shortin

Sporti

Kupa e Afrikës, Guinea në çerekfinale pasi fiton shortin

Më: 29 janar 2015 Në ora: 20:22

Është vërtet e cuditshme që në kohët e sotshme fati i një eventi të këtyre përmasave të përcaktohet me short.

Guinea është skuadra e fundit çerekfinaliste e edicionit të 30 të Kupës së Kombeve të Afrikës dhe kështu "elefantët kombëtarë" do të masin forcat në turin e parë të ndeshjeve me eliminim të drejtpërdrejtë me përfaqësuesen e Ganës. Për të përcaktuar skuadrën e 8 të fazës së knock out-it u nevojit hedhja e shortit dhe gjithcka u krye në hotelin Hilton në qytetin Malabo, ku Guinea fitoi shortin në dëm të ekipit të Malit. Kurioz është fakti se që të dy ekipet e mbyllën Grupin D në vendin e dytë në mënyrë identike, me 3 pikë, 2 më pak sesa përfaqësuesja e Bregut të Fildishtë që siguroi vendin e parë dhe njëkohësisht kualifikim pas fitores minimale ndaj Kamerunit. Si Guinea ashtu edhe Mali i përfunduan ndeshjet në këtë grup me 3 barazime 1-1, pra me golaverazh të njëjtë, megjithatë në mënyrë të habitshme drejtuesit e Federatës Afrikane të Futbollit vendosën për një zgjedhje të tillë.

Është vërtet e cuditshme që në kohët e sotshme fati i një eventi të këtyre përmasave të përcaktohet me short, kur do të kishte qenë shumë më e thjeshtë për të shtuar takimin edhe me 30' të tjera, apo qoftë edhe me një mënyrë shumë më praktike duke ekzekutuar 11-metërshat. I habitshëm është fakti që drejtuesit e Federatës nuk parashikuan sic duhet dhe nuk morën masa për të evituar shortin, pasi rrethanat ishin të atilla që e gjithë kjo të evitohej, për më tepër që Guinea dhe Mali u ndeshën pikërisht bashkë në takimin përmbyllës në Grupin D, ndeshje që u mbyll me rezultatin e barabartë 1-1. Fakti më befasues është që në vitin 2015 ngjan gati gati e paimagjinueshme që fati i skuadrave në një aktivitet të njohur nga FIFA të përcaktohet në bazë të shortit, gjithsesi rasti i parë i tillë është regjistruar në eliminatoret e Kupës së Botës të vitit 1954, kur Turqia dhe Spanja i mbyllën në barazim 90' e luajtura në Romë. Asokohe gjithcka u zgjidh me short nga një 14-vjecar, djali i një punonjësi të stadiumit që dërgoi Turqinë në botërorin zviceran dhe ktheu në shtëpi Spanjën. Në Kupën e Afrikës një rast i tillë ka ndodhur edhe në vitin 1988 kur shorti favorizoi përfaqësuesen e Algjerisë në dëm të Bregut të Fildishtë. Rasti i fundit është regjistruar në Kupën e Botës në Itali, në vitin 1990 kur Holanda dhe Republika e Irlandës e mbyllën fazën e grupeve në mënyrë të barabartë në vendin e dytë, pas Anglisë. Menjëherë pas ndeshjes mes tyre që përfundoi 1-1, në Romë numri 2 i FIFA-s asokohe Sepp Blatter drejtoi shortin që u transmetua drejtpërdrejt në TV dhe pavarësisht se të dy ekipet ishin të kualifikuar për shkak të formulës së atehershme Holanda e humbi shortin duke u përballur direkt në fazën e 1/8 me Gjermaninë Perëndimore, ndërsa Republika e Irlandës që u rendit në vendin e dytë u përball me përfaqësuesen e Rumanisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat