Kupa e Mbretit, Barça kalon Atleticon në një sfidë të çmendur

Sporti

Kupa e Mbretit, Barça kalon Atleticon në një sfidë të çmendur

Më: 28 janar 2015 Në ora: 23:25

I kishte të gjitha çerekfinalja e kthimit të Copa Del Rey, një ndeshje e denjë për skenar hollivudian.

Shumë gola, penallti, episode të denja për të krijuar polemika pa fund, nervozizëm, rivalitet në maksimum, tension i lartë , kartona të verdhë e të kuq dhe padyshim spektakël i pabesueshëm . Në fund kualifikohet Barcelona. I kishte të gjitha çerekfinalja e kthimit të Copa Del Rey, një ndeshje e denjë për skenar hollivudian, me Barçën që me Realin e eliminuar me kalimin përballë Atleticos në gjysmëfinale ka hedhur një hap gjigand drejt trofeut.

Me Barçën që prezantonte treshen e mrekullive përpara Neymar Suarez, Messi dhe Atletikon që vuante dy mungesa me peshë si Koke e Godin dhe Fernando Torrres në Vicente Calderon nisi gjithçka si një gjëmim bubullime.

Fernando Torres gjeti golin pas vetëm 39 sekondash, gjithshka nisi nga gabimi i Mascheranos me Siqueran që rrëmbeu topin e destinuar për Messin dhe pasoi te El Nino që kaloi me klas sërish argjentinasin për të lëshuar goditjen e tij fituese. 1-0 por Barça u përgjigj pas vetëm 8 minutash. Një super Lionel Messi në versionin e tij më të mirë i tërhequr në mesfushë orkestron gjithshka te Suarez që pason në qendër për Neymar me braziliianin që i djeg të gjithë në sprint dhe prezantohet para Oblak.

Në një film fantastik nuk mungojnë edhe episodet humoristike si ky i minutës së 21-të me Jordi Alban që mori një shkop kokës nga vijërojtësi ndërsa kthehej në fushë. Skenari nuk mund të linte pa parashikuar edhe polemikat, e destinuar për të gjeneruar jo pak kjo penallti e dhënë nga Gil Manzano në minutën e 29 për një kontakt të dyshimtë mes Juan Fran dhe Macheranos që mbi të gjitha ishte jashtë zonës, por penallti është kur vërshëllen arbitri dhe nga pika e bardhë Raul Garcia mposhti Ter Stegen që ishte në rregull me intuitën por nuk u zgjat sa duhet dhe Atletiko sërish në avantazh. Në minutën e 37 Rakitic në qendër të zonës lëshoi një top që i devijuar për pak sa nuk përfundoi në portë me Los Colchoneros që epësuan në goditjen e këndit menjëherë më pas.

Atletico e pëson nga arma e saj e preferuar, goditjet e këndit dhe për më tepër nga një lojtar i saj, Joao Miranda që çoi në rrjetë topin pas goditjes me kokë të Sergio Busquets, 2-2 , gjithçka nga e para dhe episodi i rradhës i denjë për të tjera polemika.

Minuta e 41 dhe shans për Atleticon, Griezman godet por gjen përpara Jordi Alban, mesfushori proteston për 11-metërsh dhe përsëritjet më pas i japin të drejtë pasi topi shkon drejt portës dhe krahu i futbollistit blaugrana është i hapur, por penalltia e munguar ishte vetëm gjysma e së keqes për Atleticon pasi menjëherë pas atij episodi Jordi Alba mori krahë duke nisur një kundërsum perfekt për Barcelonën, si gjithmonë gjërat fantastike kalojnë më parë nga këmbët e Messit që gjeti sërish Jordi Albën që kishte përshkruar gjithë fushën për t'i dhënë asistin e golit Neymar.

3-2 për Barcelonën por nuk kishte përfunduar aty, pasi pjesa e parë mbyllej mes protestash që i kushtuan nga një karton të verdhë Gabit dhe Lionel Messit, por ai që e pësoi më keq ishte futbollisti i Atleticos pasi nuk u kthye më nga dhomat e zhveshjes ku kishte marrë një tjetër karton të verdhë dhe Atletico u kthye në fushë për pjesën e dytë me dhjetë lojtarë, çfarë ndodhi mbetet enigmë por nëse shikon reagimin e Arda Turan që i lëshon si pa dashje këpucën arbitrit është e lehtë të kuptohet tensioni te Atletico.

Me Los Colchoneros në inferioritet numerik e Barçën me kualifikimin në xhep fraksioni i dytë nuk mund të përsëriste të parin, edhe pse ndeshja vijoi e luftuar dhe në minutën e 73 Ter Stegen ju desh të bënte një pritje prej fenomeni në goditjen potente të Canit . Episod për t'u sinjalizuar edhe ai i minutës së 79, me Neymar që shfaqi në mënyrë plateale pakënaqësinë për zëvendisimin e Luis Enrique që e nxori nga fusha për t'i bërë vend Pedros. Në minutën e 84 për një Atletico të nervozuar erdhi dhe kartoni i dytë i verdhë për Suarez që mori urdhërat e marshimit jashtë fushe pas ndërhyrjes ndaj Messit dhe Atletiko e mbylli me 9 lojtarë ndërsa Barcelona në avantazh 3-2. Fiton sërish ndaj Atleticos edhe pse në gjysmëfinale e ka hedhur tashmë një dorë drejt trofeut të parë sezonal, Kupës së Mbretit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat