Prishtina bindshëm ndaj Pejës!

Sporti

Prishtina bindshëm ndaj Pejës!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 janar 2015 Në ora: 22:14

Kampioni në fuqi, Sigal Prishtina dëshmoi lojë shumë më të mirë dhe triumfoi me rezultat bindës 103:76 në përballje me Pejën, në ndeshjen derbi të javës së 16-të të ETC Superligës së Kosovës në baskletboll. Rreth 1500 shikues ishin në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë, të cilët kanë pritur një rivalitet më të madh, por kështu nuk ndodhi në mes rivalëve të vjetër.
Në çerekun e parë u zhvillua lojë e fortë, me rivalitet dhe kampioni ishte në epërsi me 4 pikë dallim (24:20) në minutën e 10-të. Peja nuk ishte më "arrë e fortë" në minutat vijues, kur bardhekaltrit morën frerët e lojës në dorë përmes Dardan Berishës, duke shtuar gjithnjë e më shumë epërsinë. Në minutën e 17-të, Prishtina ishte në epërsi me 15 pikë (40:25) dhe për të shkuar në pushim me rezultat 49:32. Në minutën e 34-të, rezultati në semafor shënonte 80:63 për Prishtinën dhe gjithçka ishte e qartë. Peja nuk kishte forcë që të bën më shumë ndaj Prishtinës e cila ishte dukshëm më e mirë në çdo aspket dhe si rrjedhojë e kësaj edhe triumfuan me rezultat bindës. Ishte pritur një lojë më e fortë nga ana e pejanëve, që të janë më sfidues, por përveç në çerekun e parë asgjë më nuk iu shkoi ndoresh deri në fund. Prishtina fitoi me rezultat 103:76 ndaj pejanëve. Dardan Berisha ka qenë më i dalluari në radhët e Prishtinës, duke shënuar 23 pikë, kurse Drilon Hajrizi me 23 pikë më efikasi te Peja. Sigal Prishtina shënoi fitore të madhe e cila tani ka 31 pikë në krye të renditjes dhe ka një pikë më shumë se Peja, që e mban vendin e dytë.
Golden Eagle Ylli nga Theranda shënoi fitore bindëse me rezultat 94:78 (31:11, 16:20, 30:13, 17:34) kundër Kastriotit nga Ferizaj. Vendasit ishin më të mirë në shumicën e kohës dhe nuk e patën problem të dalin fitues.Basketbollisti White me 30 pikë, i ndihmuar nga Gashi me 22, ishin edhe enigmë e pazgjidhur për skuadrën rivale. Ferizajasit në çerekun e parë luajtën shumë dobët kur ishin në disavantazh me 31:11 dhe kjo ishte edhe fatale për ta. Therandasit treguan lojë të sigurt në mbrojtje dhe ishin efikas, duke mos falë asnjë gabim të mysafirëve. Në minutën e 30-të, rezultati ishte 77:44 në favor të Yllit. Kastrioti u këndellen në dhjetë minutat e fundit dhe bënë lojën shumë të mirë por ishte e pamjaftueshme që ta përmbysin epërsinë e vendasve. Golden Eagle Ylli është në vend të pestë me 23 pikë, kurse Kastrioti i fundit me 17 pikë.

Rezultatet
G. Ylli-Kastrioti 94:78
Sigal Prishtina-Peja 103:76

E enjte
Trepça-Vëllaznimi 17.00
K. Bashkimi-Besa 19.00

Tabela
1. Sigal Prishtina 16 15 1 31
2. Peja 16 14 2 30
3. K. Bashkimi 15 9 6 24
4. Trepça 15 8 7 23
5. G. Ylli 16 7 9 23
6. Vëllaznimi 15 5 10 20
7. Besa 15 3 12 18
8. Kastrioti 16 1 15 17
Në javën e 17-të, takohen: Kastrioti-Kosova e Re Bashkimi, Vëllaznimi-Golden Eagle, Peja- Trepça dhe Besa-Sigal Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat