Flamurtari-Teuta, jehonë dhe në mediat ndërkombëtare

Sporti

Flamurtari-Teuta, jehonë dhe në mediat ndërkombëtare

Më: 28 janar 2015 Në ora: 20:47

"Ndeshja e dyshimtë e kampionatit shqiptar degjeneron në një farsë trashanike".

Java e parë e fazës së tretë të Kampionatit Shqiptar të Futbollit i dha një goditje të fortë imazhit të mirë të garës së zhvilluar në dy fazat e para të Kategorisë Superiore për sezonin 2014/2015, më i mirë i zhvilluar deri më sot. Ndeshjet e përfolura si të manipuluara kanë bërë jehonë dhe në mediat ndërkombëtare dhe kjo kompromenton dhe njollos mundimin, punën dhe investimin e shumë aktorëve, që kontribuojnë për të përmirësuar garën dhe nivelin e futbollit në vend nga viti në vit. "Ndeshja e dyshimtë e kampionatit shqiptar degjeneron në një farsë trashanike", "Shqipëri, a është kjo ndeshje e trukuar?". Janë këto dy prej titujve të gazetave prestigjoze europiane, britanikes "The Telegraph" dhe italianes "Gazzetta Dello Sport", që i kushtojnë vëmendje minutave të fundit të takimit Flamurtari - Teuta duke ngritur dyshimin për lexuesit e tyre se ndeshja mund të jetë e trukuar.

E përditshmja sportive italiane propozon në faqen e saj videon e takimit teksa shkruan: "Në 10 minutat e fundit, miqtë bëjnë gjithçka që vendasit të shënojnë. Takimi bëhet qesharak dhe ka dyshime për trukim". Ndërkohë që britanikja "The Telegraph" jo vetëm që analizon minutë pas minute çdo rast të Flamurtarit, por në fund citon dhe deklaratat e presidentit të klubit vlonjat, Sinan Idrizi ashtu siç bën me dije dhe irritimin e tifozerisë vendase për ngjarjet e ndodhura. "The Telegraph" shkruan se klubi i Flamurtarit ka kërkuar një hetim nga FSHF dhe nëse ai nuk do të ndërmerret atëherë janë të gatshëm të tërhiqen nga kampionati. Për ndeshjen mes Flamurtarit dhe Teutës, që po përflitet dhe në mediat e huaja, prokuroria e Vlorës ka nisur një hetim të kryesuar nga prokuroria Flora Cela. Në FSHF, u mblodh ndërkohë dhe Komisioni Etikës, që nuk doli me një vendim pasi kërkon të dëgjojë dëshimtarët për të hetuar në lidhje me këtë ndeshje por dhe takimet e tjera të javës së 19-të, Laçi-Partizani dhe Vllaznia-Kukësi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat