Të fortët përplasen në kryeqytet!

Sporti

Të fortët përplasen në kryeqytet!

Nga: Kemajl Goca Më: 28 janar 2015 Në ora: 10:03

Ballafaqimi mes Sigal Prishtinës dhe Pejës zgjon interesim të madh si gjithmonë të tifozët e lojës së basketbollit. Dy ekipet më të mira në vend sonte masin forcat mes vete dhe pritet të jetë lojë me rivalitet të madh. Kampioni në fuqi, Sigal Prishtina, njëherësh edhe kryesues i renditjes në ETC Superligën e Kosovës, synon fitore dhe të shkëputet me një pikë më shumë nga përcjellësi i saj, Peja.

Pejanët besojnë e shpresojnë se kanë ekip të fortë dhe do të kthehen ngadhënjimtar. Sigal Prishtina kryeson me 29 pikë, sa ka edhe Peja, e cila mban vendin e dytë në klasifikim. Sfida mes rivalëve të vjetër do të luhet në orën 20.15 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Dardan Berisha, basketbollisti më i mirë në vend, është optimist se Prishtina do të dalë triumfuese.

“E dimë se është ndeshje e vështirë, por mendoj se me angazhim e lojë të mirë do të ia dalim. Kemi pasur krizë të vogël të lojës në javët e kaluara, por besoj se sonte ndaj Pejës do të dëshmojmë lojën tonë, do të tregojmë forcën e lojës tonë dhe të shënojmë fitore”, tha Berisha, i cili është alfa dhe omega e klubit bardhekaltër. Fisnik Rugova, për herë të parë, do të luajë kundër ish-skuadrës së tij, Sigal Prishtina. Rugova prej fëmijërisë ka qenë pjesë e Prishtinës dhe në fund të vitit 2014 kalojë në petkun e Pejës. Ai me Pejën do të luftojnë për fitore kundër kampionit në fuqi. Rugova e pranon se është një sfidë shumë e vështirë, por gjithsesi edhe emocionale.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe normal pak emocionuese do të jetë sonte për mua. Kam kaluar periudhë shumë të gjatë në Prishtinë që nga gjeneratat e reja deri me tani. Do të jetë ndeshje e vështirë dhe e baraspeshuar, mirëpo ne do të luajmë deri në fund për fitore dhe shpresoj që do të ia dalim”, tha Rugova. Ai mendon se kanë një përparësi ndaj klubit nga kryeqyteti.

“Përparësitë do të janë në lojën kolektive të Pejës”, përgjigjet ai. A mendoni se do ta shfrytëzoni krizën e Prishtinës? “Nuk mendoj që janë në ndonjë krizë të madhe vetëm nuk kanë arritur të komponohen mirë dhe shpresoj që nuk do të bëjmë gabime të shumta”, theksoi Rugova, i cili shpreson në fitore që të marrë kryesimin në renditje. “Ka shumë mundësi ta marrim primatin dhe të jemi në vend të parë”, tha Rugova. Sonte në Therandë luhet ndeshja mes Golden Eagle Yllit dhe Kastriotit nga Ferizajt, ndërsa të enjten në Drenas: Trepça pret Vëllaznimin dhe në Prizren Bashkimi takohet me Besën.


ETC Superliga, java e 16-të
E mërkurë

G.Ylli-Kastrioti 19.00
Sigal Prishtina-Peja 20.15
E enjte
Trepça-Vëllaznimi 17.00
K. Bashkimi-Besa 19.00

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat