Kur do të kthehet Majlinda në gara?

Sporti

Kur do të kthehet Majlinda në gara?

Nga: Kemajl Goca Më: 28 janar 2015 Në ora: 09:59

Kampionia e dyfishtë e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi, është operuar në ditën e djeshme. Krenaria e sportit ka operuar gjurin e majtë, e cila e kishte lënduar në kampin që u mbajt nga 5-12 janar në Mittersil të Austrisë.

Përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës, Driton Kuka, lutet që Majlinda të shërohet sa më shpejt dhe t’i kthehet garave. Driton, Majlinda është operuar, sa do të mungojë përfundimisht? “Deri të mërkurën nuk kemi hollësi, sepse matjet e Majlindës vazhdojnë. Të mërkurën (sot) mund të dihet më detalisht, por më rëndësi që operacioni është kryer me sukses”, tha Kuka. Majlinda është pretendente për të fituar medalje olimpike në ‘Rio 2016’ si dhe në Lojërat Evropiane ‘Baku 2015’ që mbahen në Azerbajxhan. Kuka tregon se si ka ardhur deri të lëndimi. “Lëndimi ka ardhur gjatë kampit stërvitor në Austri. Fillimisht nuk është dukur diçka serioze, por...”, tha Kuka. Përzgjedhësi nuk jep më shumë detaje se sa mund të mungojë Majlinda, sepse sipas tij, gjithçka do të dihet sot, kur edhe mjeku do të del me rezultatin final.

A ka qenë operimi i pashmangshëm? “Pikërisht natyra e lëndimit ishte e tillë që është dashur të operohet”, ka thënë Kuka. Ndryshe Majlinda, është më e mira e botës për gjitha kategoritë e shpallur me 15 dhjetor të vitit të kaluar nga presidenti i Federatës së Xhudos Ndërkombëtare, Marius Vizer, ku edhe ia kishte dorëzuar çekun në vlerë 50 mijë dollarë. Të gjithë mbesin me shpresë se Majlinda do të shërohet sa më shpejt dhe do t’i kthehet luftërave të mëdha në të gjithat garat evropiane, botërore dhe të jetë në kulmin e formës për Lojërat Olimpike.Majlinda së paku mund të mungojë gjashtë muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat