Milan sërish k.o me Lazion, krizë e thellë për kuqezinjtë

Sporti

Milan sërish k.o me Lazion, krizë e thellë për kuqezinjtë

Më: 27 janar 2015 Në ora: 22:55

Goli i Bilglias në pjesën e parë vendosi fatin e takimit të "San Siros" ku bardhkaltërit siguruan biletën e gjysmëfinales.

Milan prek fundin. 3 ditë pas disfatës në "Olimpico", Lazio i jep një tjetër shuplakë skuadrës së Inzaghit në çerekfinalen e Kupës së Italisë. Goli i Bilglias në pjesën e parë vendosi fatin e takimit të "San Siros" ku bardhkaltërit siguruan biletën e gjysmëfinales, ndërsa Milan futet në një rrugë pa krye. Sfida nisi me skenarin e ngjashëm të "OLimpicos" ku Lazio mori menjëherë epërsinë territoriale. Klose ishte shumë pranë golit në minutën e 9 por topi i vjedhur pas një gabimi në mbrojtjen e Milanit, nuk arriti të shënjestronte portën. 6 minuta më pas në një pasim tjetër të gabuar kuqezinjtë rrezikuan sërish por Abbiati arriti të paraprinte Keita duke shpëtuar skuadrën e tij nga goli i parë.

Në krahun tjetër, Berisha u tregua i vëmendshëm pas një goditje të Menez nga jashtë zonës, ndërsa në të 19-ën Cataldi kishte një tjetër top goli në këmbët e tij por Montolivo u tregua më i shpejtë duke i mbuluar rrezen e goditjes. Rastin e parë të vërtetë Milani e shënoi në minutën e 33 por goditja e Cercit u grushtua nga Berisha, ndërsa 4 minuta më pas Albertazzi preku topin me dorë duke shkaktuar një 11 metërsh që u shndërrua në gol nga Lucas Biglia. Brenda 5 minutave të fundit, Lorik Cana shkaktoi dy faulla të ndëshkuar me të verdhë nga Rocchi dhe kapiteni shqiptar e la skuadrën e tij me 10 lojtarë. Superioriteti numerik nuk e ndihmoi Milanin, madje ishte Lazio që rrezikoi në disa raste me anë të kundërsulmit. Më pas, Abate krijoi një rast të rrezikshëm, ndërsa Pazzini realizoi një gol që u cilësua i parregullt për prekje të topit me dorë. Keita drithëroi të pranishmit e "San Siro-s" në të 77-ën me një goditje që preku shtyllën, ndërsa në të 90-ën, Pazzini tentoi dëshpërimisht por goditja e tij u bllokua nga Berisha. Ndeshja nuk u mbyll me këtë episod sepse në minutën e dytë shtesë, Cerci shënoi një gol që u anullua nga Rocchi për shkak të pozicionit jashtë loje. Game Over. Milani dorëzohet pa kushte në një javë ku Lazio i shkaktoi 2 nokdaune.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat