Seria A, Udinese i merr 3 pikë Empolit

Sporti

Seria A, Udinese i merr 3 pikë Empolit

Më: 27 janar 2015 Në ora: 00:07

Elseid Hysaj qëndroi në fushë për të gjithë 90-minutëshin duke zhvilluar një paraqitje të mirë.

Pas 5 javësh ku kishte regjistruar 3 barazime dhe 2 humbje Udinese e Andrea Stramaccionit rigjen rrugën e fitores në Serie A, dhe e bën dicka të tillë në një transfertë shumë të vështirë si ajo e Castellanit duke mposhtur 2-1 Empolin e Elseid Hysaj, me mbrojtësin shkodran që edhe në këtë takim qëndroi në fushë për të gjithë 90-minutëshin duke zhvilluar një paraqitje të mirë.

Empoli në shtëpi është një skuadër nuk lëshon pe lehtësisht megjithatë Udinese arriti të kalonte në avantazh në minutën e 19-të. Kapiteni i friulanëve Antonio Di Natale edhe pse shtatëshkurtër arriti të shfrytëzonte më së miri një krosim të Allan duke goditur saktë me kokë për golin e 0-1. Pavarsisht disavantazhit skuadra e Sarrit nuk u dorëzua dhe në minutën e 37-të arriti të barazonte shifrat me Ricardo Saponarën që debutoi me gol me fanellën e Empolit në Serie A. Ky i fundit nuk e pati të vështirë të kthente në gol një 11-metërsh të fituar nga skuadra toskane pas një prekjeje me dorë të Danillos. Megjithatë nuk ishte e thënë që Empoli të dilte me pikë nga kjo përballje pasi fati ishte i gjithi me Udinesen teksa në minutën 60-të një harkim pa shumë pretendime i Widmer përfundoi drejt e në rrjetë duke lënë të shtangur portierin e vendasve Sepe.

Në Carlo Castellani përfunoi gjithcka me fitoren 2-1 të friulanëve që me këtë sukses u ngjitën në kuotën e 27 pikëve duke u pozicionuar në vendin e 9-të të klasfikimit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat