Kevin Kampl, përforcimi i parë për Dortmundin

Sporti

Kevin Kampl, përforcimi i parë për Dortmundin

Më: 23 dhjetor 2014 Në ora: 00:16

Për të marrë shërbimet e 24-vjecarit Dortmundi do te shpenzoje 10 deri në 12 milionë Euro.

Borussia e Dortmundit realizon goditjen e parë në merkato për muajin Janar. Për ti bërë bisht krizës drejtuesit e klubit verdhezi kanë hedhur sytë nga merkato e transferimeve duke afruar në skuadër mesfushorin e talentuar slloven Kevin Kampl. Ishte vetë klubi i Dortmundit që në faqen e tij zyrtare në internet konfirmoi marrëveshjen me austriakët e Red Bull Salzburg për transferimin e Kampl në Signal Iduna Park. Borussia nuk e bëri të ditur shumën që ka derdhur në arkat e Salzburgut për të marrë shërbimet e 24-vjecarit por media të ndryshme aludojnë se ajo varion nga 10 deri në 12 milionë Euro.

Në ditët e ardhshme Kevin Kampl do të nëshkruajë një kontratë që do ta lidhë atë me Dortmundin deri në verën e vitit 2019. Mesfushori slloven i cili karrierën e ka nisur në rradhët e skuadrës gjermane të Bayer Leverkusen ka spikatur jo pak duke mbajtur veshur fanellën e Red Bull Salzburgut. Në sezonin e kaluar ai ka arritur të fitojë kampionatin dhe Kupën e Austrisë ndërsa në total me Salzburgun në 2 vite e gjysëm karrierë ka zhvilluar 92 ndeshje duke realizuar edhe 20 gola. Përsa i përket transferimit të Kampl në Signal Iduna Park foli edhe drejtori sportiv i Dortmundit Michael Zorc; Ky i fundit u shpreh se 24-vjecari slloven është futbollisti ideal për të përforcuar Borussian. Kevin Kampl mbahet mend edhe nga të gjithë tifozët shqiptarë për atë gol fantastik që i shënoi Etrit Berishës në sfidën mes Sllovenisë dhe Shqipërisë e vlefshme për eliminatoret e Botërorit, Brazil 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat