Neureuther bindshëm më i miri në sllallom

Sporti

Neureuther bindshëm më i miri në sllallom

Nga: Kemajl Goca Më: 23 dhjetor 2014 Në ora: 00:04

Skiatori gjerman, Felix Neureuther, ishte superior ndaj kundërshtarëve në disiplinën e sllallomit në Kupën e Botës, e cila u zhvilluar në orët e mbrëmjes në Qendën e Skive në Madonna di Campiglio të Italisë. Neureuther bëri paraqitje të shkëlqyeshme dhe si rezultat i kësaj edhe fitoi garën. Ai ishte bindshëm më i miri, duke e zënë vendin e parë me kohë të kaluar për 1:40.57 minuta. Gjermani ishte më i shpejtë për 82 të qindtat e sekondës se bashkëkombësi i tij, Fritz Dopfer. Garë e fortë u zhvillua për vend të dytë, por gjermani Dopfer arriti për 2 të qindta të jetë më i shpejt se i treti, Jens Byggmark nga Suedia. Skiatori norvegjez Henrik Kristoffersen u pozicionua i katërti por me kohë më të ngadalshme për 96 të qindtat se vendi i parë. Alexis Pinturault nga Franca nuk ishte në nivelin e duhur dhe si rrjedhojë e kësaj ngeci në vend të pestë me kohë më të dobët për një sekondë e dy të qindta se i pari. Edhe austriaku Marcel Hirscher nuk pati një mbrëmje të mirë, më së miri e dëshmon vendi i shtatë dhe me kohë më të ngadalshme për një sekondë e 15 të qindtat se Neureuther. Felix Neureuther aktualisht kryeson me 240 pikë në renditjen e përgjithshme të sllallomit ose ka 24 më shumë se i dyti Marcel Hirscher. Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, norvegjezi Kjetil Jansrud udhëheq me 610 pikë, që ndiqet këmbë pas këmbëve nga Hirscher, i cili ka 576 pikë, pastaj Alexis Pinturault me 349 pikë etj.

Rezultatet
1. Felix Neureuther (Gjermania) 1:40.57
2. Fritz Dopfer (Gjermania) 0.82
3. Jens Byggmark (Suedia) 0.86
4. Henrik Kristoffersen (Norvegjia) 0.96
5. Alexis Pinturault (Franca) 1.02
6. Axel Bäck (Suedia) 1.03
7. Marcel Hirscher (Austria) 1.15
8. Alexander Khoroshilov (Rusia) 1.18
9. Jean-Baptiste Grange (Franca) 1.54
10. André Myhrer (Suedia) 1.57

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat