Arrivabene: Ferrari, mbrapa me projektin e 2015

Sporti

Arrivabene: Ferrari, mbrapa me projektin e 2015

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 22:27

Nga Maranello Sergio Marchionne dhe drejtuesi aktual i ekipit Maurizio Arrivabene lëshojnë alarmin.

Vitin e ardhshëm pritet një tjetër sezon plot vuajtje te Ferrari. Nga Maranello Sergio Marchionne dhe drejtuesi aktual i ekipit Maurizio Arrivabene lëshojnë alarmin duke rrëfyer se "skuadra e kuqe" ka mbetur prapa në lidhje me zhvillimin e makinës përsa i përket vitit 2015. Presidenti ishte tepër i qartë në deklaratën e tij duke theksuar problemet me projektin e ri, por gjithashtu ai mendon që viti i ardhshëm do të jetë viti i ringritjes që do të vërë në provë skuderinë italiane. I të njëjtit mendim pak a shumë duket se është edhe drejtuesi i ri Maurizio Arrivabene që u shpreh se nëse Ferrari arrin të fitojë dy gara gjatë sezonit të ardhshëm do të konsiderohej si sukses. 57-vjecari lombard me shaka shkoi akoma më larg duke shtuar se 3 fitore do të quheshin si triumf për ekipin ndërsa me katër të tilla skuadra do të prekte parajsën. Në fakt zhvillimi i makinës së re po ecën me ritme të ngadalta dhe Marchione shpjegoi se skuadra e ka nisur disi me vonesë punën për shkak të zgjedhjeve strategjike që janë bërë nga persona të tjerë.

Presidenti deklaroi se gjatë vitit 2014 u shpenzuan shumë energji mbi ecurinë e sezonit dhe u mendua fare pak për sezonin pasardhës. Marchione insistoi se gjithcka tashmë duhet kompensuar rrugës gjatë zhvillimit të makinës por ai beson se pavarësisht faktit që skuadra ka mbetur prapa në përgatitje impenjimi i ekipit është i jashtëzakonshëm, dhe madje ai i mbështet maksimalisht gjithë përpjekjet që po bëhen për ta ngritur Ferrarin aty ku dhe meriton të jetë. 62-vjecari italo - kanadez shpjegoi se edhe vetë ekipit Mercedes pati nevojë për 2 vjet përgatitje për të shkuar drejt triumfit. Në krahun tjetër një farë progresi konfirmohet nga drejtuesi aktual Arrivabene që rrëfeu se javën e kaluar skuadra kaloi me sukses testet e forcës që në gjuhën e këtij sporti quhen crash dhe squeeze test, prova këto të detyrueshme për cdo ekip pjesëmarrës në Formula 1. Drejtuesi i ri i Ferrarit që zëvendësoi Mattiacci-n në këtë post shtoi se nuk priten më të tjera ndryshime dhe skuadra do të vazhdojë me po të njëjtin grup pune dhe me po të njëjtë njerëz.

Arrivabene konfirmoi se ka besim të plotë te të gjithë njerëzit që punojnë për Ferrarin dhe dëshira e tyre për të dhënë më të mirën për ekipin më të lavdishëm në historinë e këtij sporti. 57-vjecari nga Brescia është i bindur se kjo është rruga e duhur dhe se i duhet dhënë besim njerëzve aktualë dhe njëkohësisht nevojitet që ky grup të kompaktësohet akoma më shumë. Ai e vazhdoi fjalën e tij duke shtuar se nuk e ndjen aspak veten si Merlini, magjistari i famshmëm, pasi nuk beson te individë të vecantë por te sukseset si skuadër, ndërsa në fund numri 1 i Ferrarit deklaroi se nuk ka asnjë shpresë që Ross Broën të rikthehet sërish në radhët e ekipit italian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat