Partizani, Dishliev e Rrahmani drejt largimit

Sporti

Partizani, Dishliev e Rrahmani drejt largimit

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 23:05

Pas ndeshjes me Elbasanin ishte vetë trajneri Shpëtim Duro që bëri të ditur se qëndërmbrojtësi bullgar Ignat Dishliev nuk do të jetë më..

Pas ndeshjes së fundit për 2014 fillojnë të kristalizohen lëvizjet e para që sjell dritarja dimërore e merkatos për Partizanin, me lajmet e para që vijnë në frontin e largimeve. Pas ndeshjes me Elbasanin ishte vetë trajneri Shpëtim Duro që bëri të ditur se qëndërmbrojtësi bullgar Ignat Dishliev nuk do të jetë më pjesë e grupit për dy fazat e ardhshme. Partizani dhe 27 vjecari që është aktivizuar me pikatore kanë rënë dakord për një ndarje konsensuale, ndërkohë që sirenat nga Kroacia thërrasin edhe qëndërmbrojtësin tjetër, Amir Rrahmani. Prishtinaliu bëri të ditur për interesimin e RNK Split klub ku luan aktualisht edhe Sokol Cikalleshi duke lënë gjithshka të hapur për sa i përket të ardhmes.

"Ka qenë një interesim i RNK Split. Në ditët e ardhshme mund të bëhet dicka edhe pse nuk ka asgjë të sigurt. Ka dhe interesime nga ekipe të tjera, por RNK Split ka shfaqur interesim konkret".

Ndryshe nga Dishliev për 20 vjecarin e rritur futbollistikisht te Drenica nuk bëhet fjalë për mungesën e aktivizimit te Partizani ku synon realizimin e një ëndërre por për një mundësi të mirë që i shfaqet për karrierën.

" Jam i kënaqur që kam luajtur vazhdimisht. Mendoj se mund të jap më shumë sepse jam vetëm 20 vjec. Me rendimentin e Partizanit jam i kënaqur edhe pse e nisëm keq sezonin. E kam ëndërr të fitoj kampionatin me Partizanin. Do të më vinte keq të largohesha në mes të kampionatit por bëhet fjalë për karrierën time".

Për sa i përket merkatos së të kuqve në ditët e fundit po flitet edhe për interesimin e Shkëndijës për të rikthyer në Tetovë kapitenin e të kuqve , Nderim Nexhipi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat