Duro: Kampionati shumë pozitiv, peng humbja me Vllazninë

Sporti

Duro: Kampionati shumë pozitiv, peng humbja me Vllazninë

Më: 20 dhjetor 2014 Në ora: 20:17

Duro nuk e kursen një shigjetëz edhe në drejtim të skeptikëve ndaj skuadrës së tij.

Partizani e mbyll vitin me fitore dhe për trajnerin Shpëtim Duro kjo është gjëja më e rëndësishme , pavarësisht rasteve të shpërdoruara përballë Elbasanit që sipas timonierit të të kuqve mund të jenë edhe një tregues i momentin psikologjik në të cilin vinte skuadra pas dy humbjeve me Flamurtarin dhe Vllazninë.

" Patjetër që rezultati 1-0 është i ngushtë, sigurisht që duhej ta mbyllnim ndeshjen shumë më parë por si duket tensioni akoma vazhdon te skuadra. Patëm shumë raste për shënim, sidomos në pjesën e dytë, por e rëndësishme është që përfundimi ishte i mirë".

Pas ndeshjes së fundit për 2014 është momenti edhe për një bilanc të parë të dy fazave në të cilat skuadra ka grumbulluar në total 16 pikë. Vlerësimi është padyshim poizityiv, ndërsa pengu i vetëm mbetet humbja me Vllazninë.

" Sigurisht që nëse do të kishim fituar me Vllazninë do të kishte qenë superparaqitje për Partizanin pasi do të ishim shkëputur nga skuadrat e tjera, por sidoqoftë unë do ta konsideroja një kampionat shumë të mirë. Nëse do të kishim fituar me Vllazninë do të kishte qenë Super".

Në këtë kontekst, Duro nuk e kursen një shigjetëz edhe në drejtim të skeptikëve ndaj skuadrës së tij.

" Në fillim të kampionatit e konsideronin Partizanin një skuadër për vend të katërt apo të pestë duke qenë një skuadër pa emra, por ja ku jemi dhe do të luftojmë deri në fund për titullin".

Në fund edhe një premtim për të ardhmen më afatgjatë, që ka të bëjë me Jurgen Bardhin i cili në minutën e 79 bëri debutimin e tij me Partizanin.

" Kam futur një futbollist të ri, 17 vjecar që padyshim pas dy sezonesh do të jetë një ndër mesfushorët më të mirë në Shqipëri".

Në kampin e Elbasanit përtej zhgënjimit për disfatën ndaj të kuqve, trajnerit Dosti i duhet të mendojë në funksion të së ardhmes dhe merkatos me teknikun që paralajmëroi se do të ulet me Presidentin e klubit për të bërë vlerësimin e nevojshëm për lojtarët dhe rendimentin e tyre si dhe ndërhyrjet që do të bëhen në merkato në funksion të luftës së vështirë për mbijetesën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat