Edhe një çmim për Majlindën

Sporti

Edhe një çmim për Majlindën

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 12:34

Xhudistja jonë, Majlinda Kelmendi, kampionia e dyfishtë e botës dhe më e mira e botës në të gjitha kategoritë e shpallur nga presidenti i Federatës Botërore në Xhudo, Marius Vizer, shpërblehet edhe me një çmim të rëndësishëm. Krenaria e sportit të Kosovës, mori edhe çmimin “Dritan Hoxha 2014”, të akorduar nga Fondacioni me të njëjtin emër, për arritje të shkëlqyera në sport duke ngritur lart sportin dhe emrin shqiptar. Majlinda ndihet edhe më krenare më këtë çmim, duke thënë: “Në përgjithësi, viti 2014 ka qenë vit jashtëzakonisht i suksesshëm për mua. Ka qenë viti më i suksesshëm në karrierën time. Çmimi që mora nga Fondacioni “Dritan Hoxha” do të thotë shumë për mua sepse unë në çdo garë që marr pjesë përfaqësoj gjithë shqiptarët dhe këtë e potencoj gjithmonë, e jo vetëm Kosovën, përderisa jam shpallur xhudistja më e mirë në botë. Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme duke marrë parasysh që në Prishtinë ka ardhur kryetari i Federatës Botërore të ma dorëzojë këtë çmim. Nëse dikush para dy vitesh do më kishte thënë që kjo do të ndodhte, nuk do të mund ta besoja, kështu që ende nuk mund ta besoj që kjo është realitet, që kjo po më ndodh mua sepse në xhudo konkurrenca është jashtëzakonisht e fortë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat