Davis shkëlqeu në fitoren e New Orleans

Sporti

Davis shkëlqeu në fitoren e New Orleans

Më: 19 dhjetor 2014 Në ora: 09:43

New Orleans Pelicans shkëlqyen mbi parketin e “Toyota Center”, falë 30 pikëve të Anthony Davis, duke e mundur Houston Rockets, me shifrat 99-90.

Në përballjen e Divizionit të Jug-perëndimit ekipi teksan shpresonte të fitonte përballë publikut të tij, por Rockets gjetën përballë një Davis fantastik, që shënoi 8 pikët e para për të tijtë për një rezultat fillestar 8-8. Periudha e parë u mbyll me një pikë epërsi për Houstonin 22-21, por dominimi i New Orleans filloi të bëhej i dukshëm në pjesën e dytë, ku para pushimit morën kryesimin 46-39.

Rockets gjithsesi reaguan dhe një gjuajtje e saktë për 3 pikë e Tory Daniels çoi rezultatin në 68-65 në fund të çerekut të tretë. Gjithsesi loja e Davis e ndihmoi Pelicans të përmbysnin edhe njëherë shifrat në favor të tyre 83-75. Tre minuta para përfundimit, Holiday, që e mbylli takimin me 16 pikë në total, me një ngulitje e zgjati diferencën në +8 me rezultatin që shënonte 89-81.

Dwight Howard u kundërpërgjigj me një tre pikësh, me Houston që u afrua në 7 pikë, por gjithsesi loja e yllit të teksanëve nuk ishte e kënaqshme teksa në total realizoi vetëm 17 pikë. Pelicans arritën të ruanin me sukses diferencën dhe në fund fituan me një +9, 99-90 duke i dhënë fund serisë prej 6 humbjeve radhazi në Houston ndaj Rockets.

Në takimet e tjera u arritën këto rezultate: New York Knicks - Chicago Bulls 97:103, Milwaukee Bucks - Saramento Kings 108:107, Oklahoma City Thunder - Golden State Warriors 109:114.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat