James Rodrigues sportisti më i kërkuar në internet

Sporti

James Rodrigues sportisti më i kërkuar në internet

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 16:10

Paraqitjet e tij të shkëlqyeshme me Kolumbinë në Kupën e Botës, por edhe transferimi i bujshëm te Reali i Madridit për plot 80 milionë euro në verë, kanë bërë që James Rodrigues të jetë sportisti më i kërkuar në internet për vitin 2014.

Përpara kampionatit botëror që u zhvillua në Brazil nga data 12 qershor deri më 13 korrik, 23-vjeçari kolumbian njihej shumë pak pavarësisht se vetëm pak kohë parë Monaco kishte derdhur në arkat e Portos , 45 milionë euro për të marrë shërbimet e tij.

Në klasifikimin special të publikuar nga kompania “Google”, James Rodrigues lë pas 7-herë kampionin e botës në Formula 1, Michael Schumacher për sa i përket sportistëve më të kërkuar në internet për vitin 2014. Menjëherë pas ish ngasësit gjerman pozicionohet lojtari i Baltimore Ravens në National Football League të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ray Rice i cili në 2014-n u përfshi në një skandal me të vërtetë të madh, pasi u kap nga kamerat e sigurisë se kishte goditur me grusht të fejuarën e tij Janay Palmer në ashensorin e një hoteli.

Jashtë podit Luis Suarez. Edhe pse ky i fundit u bë protagonist në Kupën e Botës me kafshimin ndaj italianit Giorgio Chielini, emri i tij është i 4-ti më i klikuar në motorin e kërkimit Google për vitin 2014. Goli që shënoi në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës ka bërë që Mario Gotze të pozicionohet i pesti në këtë klasifikimin special.

Pas talentit të kombëtares gjermane vjen ngasësi francez i Formula 1, Jules Bianchi i cili u aksidentua rëndë në pistën e Suzukas. 10-shja e parë e sportistëve më të kërkuar në Google për vitin 2014 plotësohet me portierin e kombëtares meksikane Guillermo Ochoa që spikati jo pak me pritjet e tij në Kupën e Botës, ndërsa mbyllet me notarin Michael Phelps dhe lojtarin e Seattle Seahawks në NFL, Richard Sherman.

Kanë mbetur jashtë 10-shes së parë sa i përket sportistëve më të kërkuar në internet për vitin 2014, dy futbollistët që aktualisht janë më të mirët në botë, Cristiano Ronaldo dhe Lionel Messi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat