Cana: Forca e Shqipërisë është uniteti

Sporti

Cana: Forca e Shqipërisë është uniteti

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 13:15

Lorik Cana po fiton hapësirën e tij në përbërjen titullare të Lazios.

Edhe pse trajneri Stefano Pioli nuk e sheh titullar fiks në mbrojtje, kapiteni i kombëtares shqiptare nuk ka ndërmend që të kthehet në rolin e tij të vjetër, në atë të mesfushorit.

Në prag të sfidës me Interin, Loriku ka folur në “Lazio Style Radio″. “Jemi mirë, prej disa javësh po punojmë bindshëm. Fatkeqësisht disa lëndime e kanë ngushtuar grupin, por ata që stërviten janë në superformë. Prandaj, këtë moment duam ta shfrytëzojmë për të marrë sa më shumë pikë në këto sfida të fundvitit”, ka thënë Cana lidhur me gjendjen aktuale te Lazio.

Kapiteni flet gjithashtu edhe për dëshirën e madhe që ka për të qenë një lider kudo. “Pata mundësinë të dal në dritë që 19 vjeç, në Paris Saint Germain.

Në moshën 21-vjeçare luaja titullar në Ligën e Kampionëve, në Olimpique Marseille jam ndjerë realisht mirë. 24 vjeç isha bërë kapiteni më i ri i historisë së Marseilles dhe kur kalon gjithë këto, është e pashmangshme që të mos ndjesh përgjegjësi mbi veten, është e pamundur të mos rritesh nga pikëpamja karakteriale.

Ky aspekt është i rëndësishëm mbi të gjitha kur veshim fanellën e Kombëtares, duke parë që ne nuk kemi yje ndërkombëtar në Shqipërinë tonë. Forca e Shqipërisë është pikërisht uniteti, prandaj përgjegjësia ime është që të jem i fortë për ta, për shokët e mi”, ka shtuar Cana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat