Heerenveen kërkon Valon Ahmedin

Sporti

Heerenveen kërkon Valon Ahmedin

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 19:48

Për Ahmedin interesohen disa skuadra nga Gjermania dhe Zvicra por një hap konkret në drejtim të tij ka bërë Heerenven.

Futbollisti i përfaqësueses të 21-vjeçarëve të Shqipërisë, Valon Ahmedi është padyshim një ndër yjet në ngjitje të futbollit Shqiptar. 20-vjeçari nga Ohri që u transferua vetëm këtë sezon nga Seria C Italiane te NK Celje në Prva Liga të Sllovenisë i janë dashur vetëm pak muaj në kategorinë maksimale të futbollit slloven për të tërhequr me aftësitë dhe golat e tij vëmendjen e disa prej klubeve që militojnë në kampionatet më prestigjiozë të Europës. Për Ahmedin interesohen disa skuadra nga Gjermania dhe Zvicra por një hap konkret në drejtim të tij ka bërë Heerenven. Klubi i Eredivisies ka kontaktuar menaxherin e Valonit, Nusret Jashari duke i bërë një ftesë për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve për përpilimin e një kontrate. Vetë 20-vjeçari konfirmon gjithçka në linjë telefonike për Sport News, por duke i mbajtur këmbët në tokë, veti e rrallë kjo për bashkëmoshatarët e tij.

“Po, jam duke kaluar një sezon shumë të mirë, kam bërë edhe 5 gola në kampionat. Jemi një ekip i ri por me ambicie të mëdha. Ka interesim për mua nga disa klube Europiane, më konkret është Heerenveni nga Holanda, por të shikojmë se çfarë do të bëhet. Për momentin jam i përqëndruar këtu me NK Celje, duke punuar çdo ditë që të bëhem edhe më i fortë”.

Si çdo talent i ri, edhe Valon Ahmedi e ka një idhull të cilit dëshiron t’i ngjajë për sa i përket lojtarëve të nivelit botëror dhe duhet thënë se edhe në këtë drejtim ambiciet janë maksimale.

“Pozicioni im është mesfushor i avancuar kështu që jam një 10-të klasike, këtë numër mbaj edhe këtu në klub. Një futbollist që më inspiron dhe e kam idhull është Lionel Messi dhe preferenca ime është që të bëhem si ai, pasi edhe stili i lojës më përshtatet”.

Nëse e ngacmon me batutën se ndoshta një ditë do të thuhet për të Lionel Messi shqiptar, në përgjigjen e Valonit shfaqet besimi që i nevojitet një futbollisti për t’u bërë vërtet i madh.

“Shpresoj edhe unë, por e di që kjo do të ndodhë, sepse jam optimist dhe i di aftësitë e mia, kështu që vetëm me punë do të arrij aty ku dua të arrij”.

Megjithatë mbi çdo gjë tjetër si për cdo shqiptar edhe për Valon Ahmedin që mund të zgjidhte përfaqësueset e moshave të Italisë, apo Maqedonisë, por u ingranua që më 19-vjeçarët me Shqipërinë, ëndrra më e madhe vishet me ngjyrat kuqezi.

“Ëndërra ime është të luaj për Kombëtaren e madhe të Shqipërisë dhe t’i përfaqësoj të gjithë lojtarët shqiptarë të Maqedonisë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat