Benzema: Ronaldo nuk është i fiksuar pas rekordit

Sporti

Benzema: Ronaldo nuk është i fiksuar pas rekordit

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 10:10

Francezi Karim Benzema nuk pajtohet me mendimet se bashkëlojtari i tij, Cristiano Ronaldo është i fiksuar pas rekordit të golave në Ligën e Kampionëve, pas fitores 0-1 ndaj Baselit.
Ylli portugez dhe rivali i tij nga Barcelona, Lionel Messi, ishin në garë për t’u bërë golashënuesit më të mirë të të gjitha kohërave në Ligën e Kampionëve, pasi të dytë iu afruan 71-golëshit të Raulit në pothuajse të njëjtën kohë.

Messi e theu rekordin e ish-sulmuesit spanjoll me hetrikun e tij ndaj APOEL-it të martën, duke shkuar në kuotën e 74 golave.
Ronaldo me golin e mbrëmshëm u barazua me Raulin, por Benzema mohon se kolegu i tij është i vendosur që ta kalojë Messin në renditjen e përgjithshme.

“Cristiano nuk kërkon nga unë që t’ia pasoj topin në mënyrë që ai ta thyejë rekordin”, deklaroi francezi për beIN Sports.

“Në fakt, ai nuk kërkon asgjë. Por kur ai është i pozicionuar mirë në fushë, unë ia pasoj topin”.

Ai ka komentuar edhe ndeshjen me Baselin, të cilën e ka cilësuar të vështirë.

“Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Nuk ishte skuadra e njëjtë si ajo që e mposhtëm 5-1 në ndeshjen e parë. Ishte shumë më e komplikuar”, përfundoi Benzema.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat