Krasniqi: Cibona, një nga klubet më të mëdha

Sporti

Krasniqi: Cibona, një nga klubet më të mëdha

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 17:24

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka pritur në takim delegacionin e klubit të basketbollit “Cibona” të Zagrebit të Kroacisë të kryesuar nga kryetari i klubit, Aleksandar Petroviç, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të zhvilluar ndeshje miqësore me klubin e kryeqytetit “Sigal Prishtina” ku edhe do të nënshkruhet memorandum bashkëpunimi mes dy klubeve. Në takim ishte e pranishme edhe kryesia e klubit të Sigal Prishtinës e kryesuar nga kryetari Blerand Stavileci. Krasniqi shprehu kënaqësinë që një klub i madh dhe me traditë siç është Cibona e Zagrebit, do të zhvillojë ndeshje miqësore me një klub basketbolli të Kosovës dhe theksoi se është me interes për thellim të bashkëpunimit në fushën e basketbollit jo vetëm mes këtyre dy klubeve por edhe më gjerë. “Cibona është pa dyshim një nga klubet më të mëdha dhe më të suksesshme në Evropë. Ky klub ka nxjerrë lojtar të mëdhenj në basketbollin botëror përgjatë viteve. Në Kosovë Cibona ka pasur dhe ka shumë simpatizues, dhe duke ditur suksesin e këtij klubi, organizimin dhe shumë aspekte të tjera për neve është një nder që vjen në Kosovë për një ndeshje miqësore”, tha ministri, duke shtuar se basketbolli i Kosovës po depërton në arenën ndërkombëtare dhe se ndeshje të tilla kontribuojnë në rritjen e cilësisë së organizimit dhe lojës. Ai ndër të tjera ka informuar mysafirët kroatë në lidhje me zhvillimet në sport, e në veçanti për basketbollin, për arritjet, sukseset si dhe sfidat që ka pasur Kosova, sidomos në ndërkombëtarizim, të cilat tashmë veç kanë nisur të tejkalohen.
Kryetari i Cibonës, Petroviç, falënderoi ministrin për pritjen dhe vizitën në Kosovë dhe përballjen me Sigal Prishtina e konsideroi një përvojë të mirë, ku edhe do të nis një bashkëpunim mes dy klubeve të basketbollit. Stavileci sjelljen e Cibonës në Prishtinë e quajti një ardhje e një emri të madh të basketbollit evropian në kryeqytet, dhe kjo do të ndihmojë në avancimin e klubit por edhe të basketbollit të vendit tonë. Në anën tjetër, ambasadori i Kroacisë në Kosovë, Zoran Vodopija, veçoi se bashkëpunimi mes dy shteteve, Kosovës e Kroacisë, është në nivele të miqësisë së ndërsjellë dhe shkëmbimi i përvojave edhe në fushën e sportit është dobiprurës për të dyja vendet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat