Messi apo shënuesi më i madh në historinë e Championsit

Sporti

Messi apo shënuesi më i madh në historinë e Championsit

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 10:17


Prej më shumë se një dekade emri i Messit ka qenë refreni i golit, rekordet e thyera prej tij janë të panumërta, por 2014 vështirë se argjentinasi do ta harrojë në planin personal, dhe pse trofetë e fituar me Barcelonën kanë munguar. Goli i shënuar në minutën e 38-të të ndeshjes me Apoelin nuk është më i jashtëzakonshmi në karrierën e tij, por është një prej më të rëndësishmëve, pasi e kurorëzoi si goleadorin më të madh në historinë e kompeticionit më magjik të globit, Uefa Champions League duke e lejuar të parakalojë Raul Gonzalesin. Argjentinasi vazhdimisht vazhdon të shkruajë emrin e tij në librat e historisë së lojës, aq sa shumë prej rekordeve që kanë lidhje me golat në futboll janë të tijtë. Marrëdhënia e Messit me golin është shumë e natyrshme, madje dhe në Champions, ku ju desh vetëm një dekadë, që prej 2 nëntor të vitit 2005 kur shënoi golin e parë ndaj Panathinaikosit, që ai të thyente një rekord që dukej i pamundur. Ngjan ironike, por Messi duket sikur e zgjedh se kur është momenti që të hyjë në histori. Golin e parë e shënoi në nëntor ashtu si dhe atë të rekordit, ndaj një tjetër skuadre, ku gjuha bazë është greqishtja, Apoelit të Nikozisë, si për të treguar se madhështia e tij buron nga Olimpi, majën e të cilës ai e ka ngjitur tashmë prej kohësh në karrierën e tij. Rekordet ngjajnë të vegjël përpara argjentinasit, që dhe në Spanjë theu një tjetër mit, atë të Telmo Zarrës duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e La Ligas. Në ndeshjen ndaj Sevillas, ai çoi në këmbë një “Camp Nou” të tërë ndërsa skuadra e Barcelonës u përkul e gjitha para madhështisë së tij. Ky është Messi, lojtari që 2014 dinte ta bënte madhështore për të, pavarësisht trofeve të munguar me Barcelonën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat