Sousa: Kundër Realit duhet të bëjmë lojë perfekte

Sporti

Sousa: Kundër Realit duhet të bëjmë lojë perfekte

Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 20:15

Sipas të gjitha gjasave, trajneri Paulo Sousa dyshen e sulmit kundër Los Blancos do t’ia besojë Gashit dhe të riut 17-vjeçar, Embolo.

Baseli i Shkëlzen Gashit, Arlind Ajetit dhe Taulant Xhakës është gati për t’u përballur me Realin e Madridit, edhe pse në sfidën e St Jakob Park kampionët e Zvicrës do të vuajnë mungesën e Xhakës i cili vazhdon të jetë i dëmtuar. Sipas të gjitha gjasave, trajneri Paulo Sousa dyshen e sulmit kundër Los Blancos do t’ia besojë Gashit dhe të riut 17-vjeçar që kërkohet nga shumë ekipe me emër në Europë, Embolo. Numri 1 i stolit të Baselit në konferencën për shtyp në prag të kësaj ndeshjeje deklaroi se skuadra e tij duhet të zhvillojë një ndeshje perfekte në të gjitha aspektet pasi vetëm në këtë mënyrë mund të marrë një rezultat pozitiv përballë kampionëve të Europës.

“Në çdo sfidë ne futemi me objektivin për të fituar. Gjithsesi kur përballë ke Realin e Madridit gjërat ndryshojnë. Në prag të një ndeshjeje të tillë duhet t’u kushtojmë rëndësi shumë të veçantë edhe detajeve më të vogla pasi nëse nuk e bën diçka të tillë, një klub si Reali të ndëshkon. Ne dëshirojmë të zhvillojmë një ndeshje të ngjashme si ajo ndaj Liverpoolit pasi duam të vazhdojmë aventurën tonë në Champions. Fakti që Reali i Madridit ka siguruar kualifikimin në raundin tjetër mund të jetë një avantazh për ne? Jo, nuk e besoj diçka të tillë pasi në të njëjtën pozitë ishin edhe sezonin e kaluar dhe shpartalluan Galatasaray-in me një breshëri golash”.

Më pas Paulo Sousa foli për gjendjen e lojtarëve të dëmtuar në skuadrën e tij, dhe në veçanti për Taulant Xhakën.

“Giovani Sio të Hënën u dëmtua në gju dhe nuk do të luajë. Sa i përket Xhakës ai po përmirësohet ndjeshëm por ende nuk është gati për të zbritur në fushë. Duhet edhe pak kohë që Taulanti të riaftësohet plotësisht”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat