Flamurtari në krizë, ndryshimet në stol nuk kanë impakt

Sporti

Flamurtari në krizë, ndryshimet në stol nuk kanë impakt

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 23:00

Në 8 javët pasardhëse kuqezinjtë kanë shënuar 5 barazime dhe 3 humbje, duke humbur shumë terren në renditje.

Fitorja 2-0 me Elbasanin në transfertë në javën e 5-të të Kategorisë Superiore, ishte suksesi i tretë dhe i fundit për Flamurtarin në këtë sezon të ri. Në 8 javët pasardhëse kuqezinjtë kanë shënuar 5 barazime dhe 3 humbje, duke humbur shumë terren në renditje, aq sa formacioni që drejtohet nga Ernestino Ramella nuk konsiderohet më rival për titullin kampion. Statistikat flasin qartë, Flamurtari në 13 javë kampionat ka grumbulluar vetëm 15 pikë nga 39 të mundshme, duke mbetur i shkëputur me 13 pikë nga Tirana kryesuese. Pikiata e Flamurtarit nisi në javën e 6-të me barazimin 1-1 në Vlorë me Laçin dhe pas dy barazimeve të pranueshme me Partizanin dhe Skënderbeun, situata u rëndua me dy humbje radhazi me Kukësin dhe Teutën.

Disfata e “Niko Dovanës” e detyroi administratorin Sinan Idrizaj të merrte disa masa drastike, që jo vetëm nuk patën impakt pozitiv në kapin kuqezi, por e përkeqësuan edhe më shumë situatën. Shkarkimi nga detyra i Ernest Gjokës, që u shoqërua me pezullimin e 4 lojtarëve të formacionit bazë, nuk u reflektua me rezultate pozitive në javët e ardhshme, përkundrazi, me trajnerin italian Flamurtari ka grumbulluar 1 pikë në dy ndeshje, ku humbja e fundit me Vllazninë në “Loro Boriçi” konfirmon krizën e thellë që ka përfshirë klubin vlonjat. Sfida e shtëpisë me Elbasanin në javën e 14-të duhet të shërbejë si oksigjen për të besuarit e Ernestino Ramellas, pasi në javët në vazhdim kalendari rezervon përballje të nxehta me skuadrat e kreut të renditjes. Ajo që po ndodh te Flamurtari është një mësim edhe për drejtuesit e rinj, që me vendimet e tyre ndoshta të pamenduara mirë, jo vetëm që nuk sollën përmirësimin e situatës, por e futën skuadrën në një krizë më të thellë rezultatesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat