Genoa-Palermo, pa fitues

Sporti

Genoa-Palermo, pa fitues

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 22:58

Sfida e “Luigi Ferraris” përfundoi në barazim 1-1, rezultat ky që kënaq më shumë vendasit...

Nuk nxori asnjë fitues sfida që i dha fund javës së 12-të në Serinë A italiane mes Genoas dhe Palermos. Sfida e “Luigi Ferraris” përfundoi në barazim 1-1, rezultat ky që kënaq më shumë vendasit për atë që të dyja skuadrat dhanë në fushë. 7 minuta i mjaftuan Palermos për të zhbllokuar rezultatin dhe ishte argjentinasi Paulo Dybala ai që realizoi një gol spektakolar duke kaluar miqtë në avantazh. Gjithsesi reagimi i Genoas ishte i shpejtë pasi formacioni i Gasperinit barazoi gjithçka me një goditje të saktë të Bertolaccit nga distanca në minutën 30.

Në të 35-tën Dybala pati shansin e 1-2 por sulmuesi i Palermos u hipnotizua nga Perin. Edhe pjesa e dytë nisi me dominimin e skuadrës siciliane por fati nuk ishte me Vazquezin në minutën e 59-të pasi goditja potente e këtij të fundit u ndal vetëm nga shtylla. Vazquez humbi një tjetër shans të mirë në 72-tën ndërsa të pabesueshmen e bëri Pinilla katër minuta më vonë teksa me portën e boshatisur e dërgoi topin jashtë 4-këndëshit pas një krosimi të saktë që mori nga Antonelli. Pavarësisht përpjekjeve të dyja skuadrave deri në fund nuk ndryshoi më asgjë në rezultat. Me këtë barazim Genoa u ngjit në kuotën e 20 pikëve në vendin e 5-të të klasifikimit, ndërsa Palermo e sheh veten në kuotën e 14 pikëve në vendin e 13-të.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat