Prezantohet Maskota e Olimpiadës “Rio 2016”

Sporti

Prezantohet Maskota e Olimpiadës “Rio 2016”

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 22:56

Pasi i shfaqën fillimisht vetëm një ditë më parë në televizionin shtetëror drejtuesit e Rio 2016 vendosën t’i bëjnë më të prekshëm maskotët e ardhshëm

Maskotët e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike të vitit 2016 në Rio de Janeiro u shfaqën për herë të parë në publik nga komiteti organizator i olimpiadës së ardhshme. Pasi i shfaqën fillimisht vetëm një ditë më parë në televizionin shtetëror drejtuesit e Rio 2016 vendosën t’i bëjnë më të prekshëm maskotët e ardhshëm, sigurisht për të familjarizuar akoma më shumë publikun e gjerë me alternativat e përzgjedhura. Në një komunikatë për shtyp organizatorët bënë të ditur se maskotët e përzgjedhur simbolizojnë florën dhe faunën e këtij vendi. Maskoti i Lojërave Olimpike sipas tyre është një kafshë me ngjyrë të verdhë që përfaqëson gjithë kafshët e Brazilit, ndërsa Maskoti i Lojërave Paralimpike është me ngjyrë blu dhe përfaqëson një përzierje unike të florës së këtij shteti. Tashmë ka nisur dhe votimi popullor për të vendosur emrat përfundimtarë dhe organizatorët pasi i seleksionuan të gjitha alternativat e deritanishme përzgjodhën nga tre emra për secilin maskot. Të gjithë kanë mundësinë për t’u përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë duke votuar në adresën zyrtare të Lojërave të Rios. Opsionet për Maskotin e Lojërave Olimpike janë “Oba”, “Tiba Tuque” dhe “Vinicius”, ndërsa tre emrat e preferuar për Lojërat Paralimpike janë “Eba”, “Esquindim” dhe “Tom”.

Dy Maskotët në njëfarë mënyre nderojnë edhe autorët e versionit origjinal të këngës “Vajza nga Ipanema”. Antonio Carlos “Tom” Jobim është autori i muzikës ndërsa teksti u hartua në gjuhën portugeze nga Vinicius de Moraes. Maskoti Olimpik në ngjyrë të verdhë përmban elementë nga macet, majmunët dhe zogjtë bënë të ditur drejtuesit e Komitetit Organizator. Daljen e parë publike Maskoti i Qeshur Olimpik e bëri në një shkollë në Santa Teresa, një zonë e Rio De janeiros ku përzihen lagjet e varfra me shtëpitë e milionerëve , shkollë që mban emrin e ish-presidentit të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar Juan Antonio Samaranch, ndërsa Maskoti Paralimpik që përfaqëson diversitetin e florës në Brazil simbolizohet në një kukull që mbulohet nga gjethe në vend të flokëve. Emrat fitues të të dy maskotëve do të shpallen publikisht më datë 14 dhjetor dhe organizatorët shpresojnë që vetë imazhi i tyre të sjellë një përfitim prej 1 miliardë realësh, pra afërsisht 400 milionë Dollarë. Komiteti Olimpik Brazilian beson se maskotët do të mbulojnë 25% të marketingut të lojërave të ardhshme, e në aspektin komercial Rio 2016 do të përfshihet në plot 12.000 produkte të ndryshme, e me 90% të tyre që është parashikuar të shitet pikërisht në vendin organizator. Për Olimpiadën e Rio De Janeiros janë parashikuar të shpenzohen afërsisht 20 miliardë dollarë, për objektet sportive dhe infrastrukturën, 5 miliardë më shumë krahasuar me shifrën që Brazili shpenzoi për organizimin e Kupës së Botës në futboll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat