Peja pa respekt për rivalin e vjetër

Sporti

Peja pa respekt për rivalin e vjetër

Nga: Kemajl Goca Më: 23 nëntor 2014 Në ora: 18:59

Ekipi i Pejës i dha leksion rivalit të vjetër, Trepçës nga Mitrovica, duke e mundur me rezultat 99:77, në ndeshjen e cila është zhvilluar në palestrën e sportit në Drenas. Kjo ishte edhe kryendeshja e javës së 10-të të ETC Superligës së Kosovës në basketboll. Basketbollistët e Pejës ishin më të shkathët se rivali mitrovicas. Trepça si ‘vendas’ në çerekun e parë bëri paraqitje të dobët, ku mysafirët u shkëputën në epërsi me 15 pikë (17:32). Mirëpo, mitrovicasit dukej se po bëjnë kthesë, kur e ngushtuan epërsinë në 10 pikë (40:50) në minutën e 20-të. Baker me 28 pikë e Tahiri me 23, ishin edhe më të dalluarit te mitrovicasit, por jo edhe të fuqishëm që ta thyejnë Pejën, e cila bëri lojë kolektive. Deri në fund të ballafaqimit pejanët shtuan epërsinë në 22 pikë sidomos në çerekun e tretë ishin fatal për ‘vendasit’, kur rezultati qe 52:74. Peja ruajti epërsinë e thellë dhe shënoi fitore të rëndësishme. Drilon Hajrizi ka qenë më efikasi në radhët e Pejës, i cili ka realizuar 19 pikë, i ndihmuar nga Veseli e Mocnik me nga 15 pikë, Puljko e Brkiç me 14 e Shima 11 pikë. Peja falë një loje më shumë kalon përkohësisht në kreun e renditjes me 19 pikë, pasi Sigal Prishtina sonte në orën 19.00 takohet me Besën. Kastrioti i Ferizajt në udhëtim humbi me rezultat 84:74 nga Kosova e Re Bashkimi. Kastrioti është i fundit në renditje me 11 pikë, kurse K. Bashkimi i treti me 17 pikë të fituara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat