Inzaghi: Tifozët do na ndihmojnë të fitojmë

Sporti

Inzaghi: Tifozët do na ndihmojnë të fitojmë

Më: 22 nëntor 2014 Në ora: 19:00

“Tifozët tanë do të na ndihmojnë të bëjmë diferencën por nuk ka ndeshje që mund të na ndryshojë totalisht".

Në prag të derbit milanez, trajneri i kuqezinjve, Filippo Inzaghi ndihet i karikuar dhe i motivuar duke u shprehur se skuadra e mbështetur edhe nga tifozëria do të japë zemrën gjatë 90 minutave.

“Tifozët tanë do të na ndihmojnë të bëjmë diferencën por nuk ka ndeshje që mund të na ndryshojë totalisht sepse duhet të fitojmë çdo takim. Ka shumë derbi që mund të përzgjedh në karrierën time por në të parin pata fatin të shënoja duke ndihmuar skuadrën të fitonte 4-2. Edhe euroderbi i vitit 2003 është një kujtim shumë i bukur por shpresoj që si trajner të fitoj Champions League në këtë mënyrë”.

Ndryshimi i emrave në pankinën e Interit është një detaj që super-Pippon nuk e shqetëson.

“Mancini? Unë duhet të mendoj vetëm për skuadrën time dhe mund të them se i kam parë djemtë të punojnë shumë mirë gjatë javës. Torres mund të na ndihmojë me lëvizjet e tij dhe shpresoj që kjo të jetë ndeshja ku të nxjerrë në pah cilësitë”.

Milani nuk po kalon një nga momentet më të mira por Inzaghi kërkon ta ndërtojë suksesin gur pas guri.

“Ne duhet të përmirësohemi në çdo ndeshje. Është normale që kemi ende disa defekte. Lojtarët duhet të jenë krenarë për tifozët tanë dhe ky është prioriteti im sepse publiku duhet të bëjë diferencën në këtë sfidë. Të mëdhenj do të bëhemi nëse u japim vazhdimësi rezultateve. Duhet të rinisemi nga ndeshja kundër Sampdorias”.

Në fund, trajneri kuqezi shkëput një koment edhe për presidentin Silvio Berlusconi.

“Presidenti është forca jonë sepse na këshillon përherë në mënyrën e duhur. Jam shumë i kënaqur që erdhi për të na takuar dhe ne dëshirojmë t’ia shpërblejmë me një fitore”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat