De Biasi: Nëse UEFA na jep 3 pikët, blindojmë vendin e tretë

Sporti

De Biasi: Nëse UEFA na jep 3 pikët, blindojmë vendin e tretë

Më: 21 nëntor 2014 Në ora: 22:12

Trajneri i Kombëtares shqiptare Gianni De Biasi ka prekur sërish temën mbi incidentin e 14 tetorit në Serbi-Shqipëri. Për teknikun italian është shumë e rëndësishme që UEFA (Komisioni i Apelit) t’i japë Shqipërisë atë që i takon, e cila sipas De Biasit është 3-pikëshi në tavolinë.

"Kemi prova të pakundërshtueshme që tregojnë situatën e tmerrshme dhe të rrezikshme në të cilën ndodheshim. Sa i përket vendimit, kemi shumë besim se do jetë i duhuri, ai që realisht na takon dhe që morëm në fushën e lojës. Një skuadër duhet të vihet në kushte të barabarta me kundërshtarin për të pasur mundësi që të shprehet si duhet në fushën e lojës. Ne nuk ishim në të tilla kushte. Në këtë këndvështrim, nëse na japin tri pikët që na takojnë, atëherë mund të them se kapim vendin e tretë në grup dhe do provojmë gjithçka, pra kualifikimin në ndeshjet play-off për të shkuar në Europian", shprehet De Biasi, citon Panorama-Sport.

Kujtojmë se dy ndeshjet miqësore kundër Francës dhe Italisë ishin të fundit për skuadrën tonë përfaqësuese për këtë vit. Sakaq, gjasat janë që Kombëtarja të mblidhet sërish në shkurt për një miqësore (ende e papërcaktuar), teksa në mars luajmë takimin zyrtar kualifikues ndaj Armenisë. Pikërisht pas këtij takimi do shihet realisht nëse Kombëtarja do synojë kualifikimin apo jo për në Euro 2016.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat