Juan Jesus: Kundër Milan-it do të japim maksimumin

Sporti

Juan Jesus: Kundër Milan-it do të japim maksimumin

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 22:59

“Kjo është një ndeshje e ndryshme nga shumë të tjera pasi Milan-Inter është një klasike e futbollit Botëror".

Roberto Mancini dhe Inter-i i tij janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për derbin ndaj Milan-it. 49-vjeçari italian ka rikthyer entuaziazmin në shtëpinë zikaltër megjithatë Mancini pritet të hasë jo pak vështirësi përsa i përket formacionit titullar që do të hedhë në fushë të Dielën, pasi Inter-i përvec Medel i skualifkuar në repartin e mesit të fushës pritet të vuajë edhe mungesën e brazilianit Hernanes, i cili nuk po e merr dot veten nga dëmtimi. Gjithsesi në ndryshim nga Mazzarri, tekniku nga Jesi pritet të aplikojë për herë të parë te Inter-i në këtë sezon, mbrojtjen me 4 lojtarë, me Vidic që do të ulet në stol dhe Ranochian e Juan Jesus që do të veprojnë në qendër. Ky i fundit që nga mbërritja e tij në skuadrën zikaltër nuk ka humbur asnjëherë në një ndeshje derbi pasi edhe në fitoren me shifrat 1-0 që arriti Milan-i sezonin e kaluar, Juan Jesus nuk luajti për arsye dëmtimi. Nga kampi i Inter-it ishte pikërisht 23-vjeçari brazilian ai që u prononcua për mediat, me Juan Jesus që theksoi se edhe në derbin e kësaj të Diele ai dhe skuadra e tij do të bëjnë çmos për të marrë një fitore.

“Kjo është një ndeshje e ndryshme nga shumë të tjera pasi Milan-Inter është një klasike e futbollit Botëror. Deri tani nuk kam humbur asnjëherë një ndeshje derbi, megjithatë të Dielën jam i vetëdijshëm se do të jetë një sfidë e vështirë për ne. Gjithsesi unë dhe shokët e mi do të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv në këtë takim”.

Më pas Juan Jesus foli për mbrojtjen me 4 lojtarë që pritet të aplikojë trajneri i ri Roberto Mancini si dhe paralajmëroi shokët e tij të repartit të kenë kujdes një futbollist në veçanti nga kampi kundërshtar.

“Në skemën e re që pritet të aplikojë Mancini do të kemi një lojtar më pak prapa dhe në këtë mënyrë duhet të tregohemi akoma edhe më të vëmendshëm. Nga cili futbollist i Milanit duhet të kemi më shumë kujdes? Për mendimin tim Menez duhet pasur frikë. Është shumë i shpejtë dhe di të driblojë shumë mirë një për një, aftësitë e tij i kemi parë edhe te Paris Saint Germaini. Nëse i lejon hapësira Menez të ndëshkon”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat