Klopp: Reus, i disponueshëm ndaj Paderborn-it

Sporti

Klopp: Reus, i disponueshëm ndaj Paderborn-it

Më: 20 nëntor 2014 Në ora: 22:58

Në konferencën për shtyp trajneri 47-vjeçar foli edhe për gjendjen e futbollistëve të tjerë të dëmtuar që ka në skuadrën e tij.

Trajneri i Borussia Dortmund, Jurgen Klopp, konfirmoi faktin se Marco Reus është riaftësuar nga dëmtimi në kavilje që pësoi disa ditë më parë dhe do të jetë i gatshëm për takimin e kësaj fundjave që verdhezinjtë do të kenë me Paderborn-in. Në konferencën për shtyp trajneri 47-vjeçar foli edhe për gjendjen e futbollistëve të tjerë të dëmtuar që ka në skuadrën e tij.

“Marco Reus është plotësisht i gatshëm për të luajtur përballë Paderborn-it. Sahin, Blaszczykowski dhe Kirch kanë ende disa probleme dhe kanë akoma nevojë për kohë në mënyrë që të zbresin sërish në fushë. Aubameyang gjatë javës së fundit ka vuajtur disa probleme muskulore dhe nuk është stërvitur rregullisht me grupin, megjithatë unë kam besim se ai do të riaftësohet në kohë, Piszczek gjithashtu do të jetë në dispozicion për ndeshjen me Paderborn-in. Sa i përket kapitenit Hummels ai nuk është ende gati por ne shpresojmë ta riaftësojmë për sfidën që do të kemi të Mërkurën e ardhshme në Champions League përballë Arsenal-it”.

Paderborn-i i ka bërë një nisje shumë të mirë sezonit të tij të parë në Bundesliga teksa pas 11 javëve të para mban vendin e 9-të në klasifikim në kuotën e 15 pikëve, 5 më shumë se Dortmund-i. Duke u bazuar në këto fakte, Klopp nuk ka se si të mos vlerësojë paraqitjen e djemve të drejtuar nga trajneri Andre Breitenreiter.

“Unë kam respekt të plotë për ato çfarë ka arritur Paderborn-i deri në këtë fazë të kampionatit. Sipas mendimit tim Paderborn është shembulli më i mirë në futboll se një skuadër mund të arrijë rezultate të larta edhe pa pasur shumë para në dispozicion”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat