Shkëmbi: Në Laç për fitore, sulmi duhet të shënojë

Sporti

Shkëmbi: Në Laç për fitore, sulmi duhet të shënojë

Më: 1 nëntor 2014 Në ora: 13:33

Kampionët do të udhëtojnë në Laç për t’u përballur me një kundërshtar që në klasifikim gjendet prapa me dy pikë.

Skënderbeu synon të sulmojë kreun në këtë fazë të dytë, dhe për më tepër të lërë pas oshilacionet e treguara në xhiron e parë të kampionatit. Kampionët do të udhëtojnë në Laç për t’u përballur me një kundërshtar që në klasifikim gjendet prapa me dy pikë. Edhe pse është një fushë e vështirë korçarët nuk njohin humbje në Laç që nga viti 2010 dhe nisur nga kjo statistikë kapiteni Skënderbeut, Bledi Shkëmbi shpreson që kjo ecuri të vijojë edhe pse kanë përpara një kundërshtar të vështirë për tu mposhtur.

“Laçi është i vështirë si në fushën e vet ashtu edhe jashtë saj. Janë një skuadër e mirë dhe agresive. Por ne nuk thyhemi që nga 2010 dhe shpresojmë të vijojmë me këtë ecuri”.

Skënderbeu ka treguar oshilacione në 5 transfertat e këtij sezoni, duke fituar vetëm atë me Elbasanin në javën e parë në Qemal Stafa, dhe më pas regjistrohen dy humbje dhe dy barazime. Kapiteni Shkëmbi bën një analizë të ecurisë së skuadrës në transfertë, ku nuk nguron të theksojë se ekipi meritonte të merrte më shumë pikë.

“Kemi bërë një lojë të mirë, si ndaj Partizanit ashtu edhe ndaj Flamurtarit. Megjithatë nuk kemi shfrytëzuar epërsinë dhe lojën e zhvilluar. Sulmi ka çaluar disi në shënimin e golave dhe mendoj që duhet të kishim më shumë pikë në transfertë”.

Nga analiza e ndeshjeve të zhvilluara tek e ardhmja, ku për kapitenin Shkëmbi, skuadra duhet të përmirësohet në shënimin e golave, duke shpresuar që nga sfida me Laçin.

“Na ka munguar goli por shpresojmë të jemi më produktivë dhe të fillojmë të shënojmë duke nisur që nga transferta me Laçin”.

Laçi – Skënderbeu do të zhvillohet të dielën në orën 13:00 dhe do të transmetohet direkt në SS3 dhe SSHD3.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat