Kuka apo trajneri i rekordeve!

Sporti

Kuka apo trajneri i rekordeve!

Nga: Kemajl Goca Më: 31 tetor 2014 Në ora: 19:33

Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës, shprehet tejet i lumtur për suksesin e jashtëzakonshëm të Majlinda Kelmendit (52 kg). Majlinda fitoi medaljen e artë në turneun Grand Slam në xhudo në Abu Dhabi. Kuka ndihej si në qiellin e shtatë për këtë fitore të madhe të Majlindës. Kuka si trajner po thyen rekorde, sepse garuesja e tij, Majlinda shkatërron një nga një rivalet dhe nuk ndalet me fitore e medalje të arta. Driton, a keni pritur se Majlinda do të dominoi në finale aq bindshëm dhe aq lehtë ndaj rumunes, Andreea Chitu? “Lufta nuk ishte e lehtë në finale, përkundrazi e fortë dhe e rrezikshme. U përsërit finalja e Kampionatit Botëror”, tha Kuka ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot”. Kuka tregon se ku ishte edhe arma më e fortë e Majlindës. “Majlinda ishte me fokus të shkëlqyeshëm. Koncentrimin e kishte armë të fortë”, thotë Kuka, duke mos fshehur emocionet kur u intonua himni i Kosovës, kur iu dorëzua medalja e artës Majlindës. “Si gjithmonë krenar, për ndjenjat që po na zgjon Majlinda!”, tha Kuka. Driton, mendoni se keni thyer si trajner të gjitha rekordet. “Kjo le të mbetet për analistët sportiv. Unë mendoj që do të vazhdojmë tutje me suksese vendi ynë ka nevojë për imazh pozitiv në Botë”, tha Kuka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat