Majlinda, në radhë medalja olimpike

Sporti

Majlinda, në radhë medalja olimpike

Nga: Kemajl Goca Më: 31 tetor 2014 Në ora: 19:15

Xhudisja e kombëtares së Kosovës, Majlinda Kelmendi (52 kg), kampionia e dyfishtë e botës dhe e Evropës, fitoi medaljen e artë dhe 500 pikë olimpike në garën prestigjioze ‘Grand Slam’ në xhudo, që u mbajt në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe. Ambasadorja e sportit tonë, ishte në nivelin më të lartë dhe shkërmoqi një nga një rivalet. Majlinda sërish rrahu me mjeshtri rumunen, Andreea Chitu, sepse atë edhe para dy muajve e pati mundur në Kampionatin Botëror në Rusi. Ajo që nga lufta e parë e deri në finale, luftoi si luaneshë dhe i solli medaljen e artë shtetit tonë. Viti 2014, do të regjistrohet si vit më domethënës për krenarinë tonë. Majlinda me 24 prill u shpall kampione e Evropës në Montpellier të Francës, pastaj stoliset me titullin e botës (me 26 gusht) në Rusi dhe e arta tjetër domethënëse është dje në Abu Dhabi. Kjo është pasuria e sportit tonë! Kjo është e arta e jonë. Gjithmonë Majlinda! Majlinda ndihet e emocionuar për këtë fitore, për këtë triumf. Ajo ekskluzivisht për gazetën kombëtare “Bota sot” tha: “Është kënaqësi që sivjet do të përfundoi si e para në Botë në të gjitha kategoritë”, tha Majlinda. Si ndjehesh pas kësaj medalje dhe a mendoni se nuk keni konkurrencë? “Konkurrencë ka gjithmonë! Sivjet kam qenë në çdo garë fituese”, përgjigjet Majlinda. Fituat të gjitha medaljet e mundshme dhe çfarë ju mbetet merak? “Patjetër synim është Olimpiada”, shprehet nga Abu Dhabi Majlinda.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat