Rivalët e vjetër ndeshen në kryeqytet

Sporti

Rivalët e vjetër ndeshen në kryeqytet

Nga: Kemajl Goca Më: 31 tetor 2014 Në ora: 18:05

Trepça nga Mitrovica ka tri fitore e një humbje në katërt javët e para në ETC Superligën e Kosovës në basketboll (meshkujt). Mitrovicasit të dielën do të ndeshen në kryeqytet me kampionin në fuqi, Sigal Prishtinën, ndeshje e javës së pestë. Basketbollistët e Trepçës nuk shkojnë me flamur të bardhë ani se cilësia është në anën e prishtinasve, por do të tentojnë t’i shkaktojnë humbjen e parë kryesuesit. Prishtina është e pandalshme e cila për katër ndeshje ka po aq fitore dhe më interesant është fakti se kanë tri fitore radhazi edhe në Ligën Ballkanike. Ky është treguesi më i mirë se sa e fortë është Prishtina, megjithatë, ka respekt për rivalin e vjetër. Ky ballafaqim do të luhet të dielën në orën 20.00 në Qendrën e Rinisë dhe të Sportit në Prishtinë. Nesër, Peja para shikuesve të vet ka punë të lehtë me Kastriotin e Ferizajt. Pejanët presin fitore të lehtë ndaj të fundosurit, ndërsa në orën 19.00 në Gjakovë ballafaqohen rivalët dukagjinas, Vëllaznimi - Kosova e Re Bashkimi. Kjo ndeshje pritet të jetë me rivalitet, ndonëse prizrenasit pretendojnë se janë favoritë. Sigal Prishtina kryeson me 8 pikë, një më tepër se Peja, Kosova e Re Bashkimi e Trepça.

ETC Superliga, java e 5-të
E shtunë
Peja- Kastrioti 17.00
Vëllaznimi - Kosova e Re Bashkimi 19.00

E diel
Besa - Golden Eagle Ylli 18.00
Sigal Prishtina- Trepça, 20.00

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat