FC Prishtina FFK-së: Ka kaluar koha kur ka pasur vetëm një mendim

Sporti

FC Prishtina FFK-së: Ka kaluar koha kur ka pasur vetëm një mendim

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 16:22


FC Prishtina reagon edhe një herë në komunikatën shtrembëruese të FFK-s. Ka kaluar koha kur ka pasur vetëm një mendim e të tjerët heshtin, për të mirën e vendit qasjet mund të trajtohen në mënyra të ndryshme.

Pasi jeni të çuditur se si personat “jokompetentë” flasin me arrogancë, kinse i dinë të gjitha brenda një nate, edhe pse pa kurrfarë njohurish dhe kompetenca profesionale, jemi të detyruar që të japim disa sqarime, duke iu kujtuar (edhe pse arrogant dhe jokompetent) se nuk jemi edhe aq të painformuar, sa i përket kritereve ndërkombëtare të futbollit, edhe pse ju vite me radhë i anashkaloni ato. 1. Thoni se "FIFA dhe UEFA kanë raporte kontraktuale në rast kontesti dhe procedura e aplikimit në vitin 2008 ka qenë e përcaktuar në atë mënyrë që FFK-ja ka qenë e obliguar të dërgojë 5 kopje origjinale në FIFA dhe një nga ato i është dorëzuar UEFA-s nga zyrtarët e tyre, dhe se përgjigjja e FIFA-s nuk ka qenë refuzuese, mirëpo ka kërkuar që Kosova të njihet nga një numër më i madh shtetesh dhe kjo ka mbetur pezull, duke ditur që kërkohej që FFK-ja të jetë paraprakisht e njohur nga UEFA, që Kosova të jetë e njohur nga OKB-ja, pra një rreth i pakalueshëm ligjor dhe politik për kohën".
2. Nga i gjithë reagimi i juaj nuk gjeni forcë që të pranoni se aplikimi në FIFA nuk mund të bëhet pa u bërë së pari anëtar me të drejta të plota në UEFA. Pse nuk e tregoni këtë fakt?
3. Nuk duhet të jesh fort i dijshëm, po t’i lexosh dhe t’i përcjellësh kriteret ndërkombëtare të futbollit, të informohesh se ky kriter aplikohet pas shpërbërjes së RSFJ-së, ku disa shtete edhe pse kanë qenë të pranuara në FIFA me vite, nuk kanë qenë të pranuara në UEFA.
4. Pse mashtroni opinionin ju e dini, por është më se e qartë se pa pranim në UEFA nuk ka pranim në FIFA dhe se aplikimi në FIFA është humbje kohe edhe pse ju së pari keni aplikuar në FIFA. Nga kjo duket qartë se ju përgjigjen e FIFA-s ose se keni kuptuar, ose dëshironi që ta mashtroni opinionin, duke mos e treguar të vërtetën, sepse edhe përkundër këtyre fakteve thoni se do të aplikoni në FIFA dhe UEFA, duke e ditur përgjigjen se pa u anëtarësuar Kosova në OKB nuk ka pranim në këto institucione ndërkombëtare të futbollit.
5. Dhe në fund, jemi shumë të interesuar për pranimin e FFK-së në këto institucione ndërkombëtare. Edhe pse "flasim me arrogancë dhe jemi jokompetentë" kemi investuar shumë në futbollin e Kosovës dhe dimë edhe një fakt, se para Federatës klubet do të inkuadrohen menjëherë në gara, derisa Federata duhet t’i plotësojë edhe disa kushte shtesë për të cilat ju fatkeqësisht tani për tani nuk i mendoni fare.
6. Duhet ta dini njëherë e mirë se nuk jemi në garë njeri me tjetrin dhe se për një çështje mund të trajtohen qasje të ndryshme për të mirën e futbollit të Kosovës. Koha kur ka pasur vetëm një mendim dhe të tjerët është dashur të heshtin, ka kaluar.
7. FC Prishtina e ndjen për obligim të kontribuojë në këtë proces dhe premtojmë se ndihma jonë nuk do të mungojë në asnjë aspekt. Jemi të gatshëm që edhe financiarisht të ndihmojmë në angazhimin e ekspertëve ligjorë të huaj, vetëm e vetëm që procesi të avancohet tutje, thuhet në komunikatën e Remzi Ejupit, kryetar i FC Prishtina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat