Simeone: Kemi përpara Realin, Barcelonën, Sevillën...

Sporti

Simeone: Kemi përpara Realin, Barcelonën, Sevillën...

Më: 30 tetor 2014 Në ora: 16:11

Kampionati spanjoll është shumë atraktiv në nëntë javët e para për faktin se dallimi mes vendit të parë dhe të pestë nuk dallon më shumë se dy pikë! Barcelona udhëheq me 22 pikë, sa ka edhe i dyti, Sevilla, pastaj Reali ka 21 pikë, Valencia e Atletico Madridi me nga 20 pikë. Pesë skuadra që po tregojnë nivel të lartë, por njohësit mendojnë se Reali e Barcelona janë mëtuesit kryesor për titull. Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, ka bërë një analizë të thukët të ecjes së skuadrës së tij për këto javë. “Ajo që më shqetëson më shumë në profesionin tim është fjala qetësi. Për mua është një gjë që nuk duhet të ndodhë. Mua nuk më pëlqejnë lojtarët individualistë, sepse kam menduar gjithmonë për skuadrën. Te Atletico punojmë të gjithë bashkë për ta forcuar sa më shumë ekipin. Unë analizoj atë që më kërkojnë lojtarët. Për shembull. Arda Turan është një prej elementëve më të talentuar që kam në skuadër dhe ai ka nevojë të luajë në vendin e tij natyral, përndryshe mund ta humbas”, tha Simeone. Trajneri i kampionit spanjoll nuk e ka lehtë këtë edicion, sepse i mungon sulmuesi më i mirë Diego Costa, i cili gjatë verës u transferua në Chelsea. “Ata që e kanë profesion futbollin me të drejtë kërkojnë të luajnë përherë në nivele të larta. Ai është një histori e kaluar tashmë dhe ne duhet të mendojmë për të ardhmen. Gjithsesi më duhet ta pranoj se skuadra nuk ka gjetur ende stabilitetin që unë kërkoj. Griezman duhet të japë më shumë, ndërsa Jimenez nuk është përshtatur ende. Sulmi është një repart delikat por ne po përmirësohemi”, tha Simeone, i cili në një mënyrë e pranon se nuk janë edhe aq mirë në sulm pas largimit të Costas. Ai tha se kanë disa skuadra shumë të forta përpara. “Është më mirë ta harrojmë atë që arritëm sezonin e shkuar dhe të shikojmë realitetin sepse kemi përpara skuadra si Real Madrid, Barcelona, Sevilla apo Valencia. Nuk mund t’ia lejojmë vetes të shkëputemi nga grupi kryesues, të paktën deri në muajin shkurt apo mars”, ka thënë Simeone. Trajneri i Atleticos tha se objektiv e ka vendin e tretë! “Të arrijmë vendin e tretë dhe të shkojmë sa më larg në UEFA Champions League. Kjo është më e mira që mund të bëjmë për tifozët tanë”, shprehet Simeone.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat