Shkëndija e Tetovës mposht 2-1 Metalurgun e Shkupit

Sporti

Shkëndija e Tetovës mposht 2-1 Metalurgun e Shkupit

Më: 29 tetor 2014 Në ora: 22:39

Kuqezinjtë shënuan dy herë në pjesën e parë për ta bërë të pavlefshëm finalizimin e miqve nga Shkupi,

Shkëndija e Tetovës arriti një fitore të rëndësishme ndaj Metalurgut të Shkupit në kuadër të javës së 13 të Ligës së Parë të Maqedonisë. Kuqezinjtë shënuan dy herë në pjesën e parë për ta bërë të pavlefshëm finalizimin e miqve nga Shkupi në fraksionin e dytë, por gjithsesi skuadra e Ardian Koznikut shfaqi disa probleme që duhet të korrigjohen në të ardhmen. Ndeshja nisi me dominim të Shkëndijës që ndërtoi disa aksione të rrjedhshme, por pa mundur ta rrezikojë seriozisht portën mike. Megjithatë pa u mbyllur gjysmë ore lojë Stenio Junior zhbllokoi rezultatin pas një harkimi të saktë të Kirovskit nga e djathta. Pak caste më vonë Kirovski tentoi të shënonte vetë, por goditja e tij u neutralizua nga Efremov. Portieri i Metalurgut nuk mundi të bënte asgjë në të 42, pas një goditjeje dënimi të ekzekutuar mjeshtërisht nga Zeba.

Pjesa e dytë mendohej se do të ishte formalitet për Shkëndijën, por në fakt nuk ndodhi kështu. Pas tentativave të dështuara të Vrucinës dhe Juniorit, në minutën e 54 Radeski lëviz bukur në zonën e tetovarëve dhe me një goditje të saktë arrin të ngushtojë diferencën në 2-1. Nga ky moment loja bëhet më interesante me raste të volitshme në të dyja portat, megjithatë rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit. Me këtë fitore Shkëndija arrin të ruajë pozitën e 3-të në renditje, madje duke krijuar një distancë të ndjeshme nga ndjekësit më të afërt. Në fundjavë kuqezinjtë do të luajnë derbin e Tetovës me Renovën, me statusin e udhëtuesit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat