Peja triumfon pas vazhdimeve

Sporti

Peja triumfon pas vazhdimeve

Nga: Kemajl Goca Më: 29 tetor 2014 Në ora: 22:01

Ekipi i Pejës shënoi fitore të rëndësishme pas vazhdimeve me rezultat 77:69 (12:16,15:19,20:19,19:12 - 11:3) në ballafaqim me Teodon nga Tivati i Malit të Zi, në ndeshjen e xhiros së tretë të grupit A në Ligën Ballkanike. Një sfidë shumë intesante që solli emocione të mëdha edhe në mesin e tifozëve dhe në kohën e rregullt përfundoi 66:66, por pas vazhdimeve pejanët u treguan më të shkathët. Kjo është fitorja e dytë e Pejës ose e dyta pas vazhdimeve, pasi që në hapje të edicionit patën mundur me rezultat 89:88 Kumanovën. Në tri ndeshje pejanët kanë dy fitore e një humbje dhe me pesë pikë udhëheqin grupin. Karakteristikë është se dy ekipet nga Kosova, Sigal Prishtina (e para në grupin B me 6 pikë) dhe Peja (në grupin B) po sundojnë në Ligën Ballkanike. Në dy çerekët e parë pejanët nuk ishin në nivelin e duhur, kur rezultati në semafor ishte 35:27 për Teodo. Në dy çerekët e radhës verdhezinjtë këndellen dhe gradualisht kthehen në rezultat sidomos në dhjetë minutat e fundit, kur edhe përfundoi pjesa e rregullt me rezultat 66:66. Pas vazhdimeve,me ndihmën e Drilon Hajrizit dhe dy depërtimet e Jan Mocnikut arritën të fitojnë me rezultat 77:69, duke gëzuar mbi dy mijë shikues në palestrën "Karagaçi" në Pejë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat