Skandal, UEFA ndëshkon Shqipërinë, shpërblen racizmin serb

Sporti

Skandal, UEFA ndëshkon Shqipërinë, shpërblen racizmin serb

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 19:55

Dje në mëngjes UEFA, (Bashkimi Europian i Shoqatave të Futbollit) komunikoi masat e ndëshkimeve të vendosura nga Komisioni Disiplinor i saj, ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, dhe asaj të Serbisë, për ndeshjen e 14 tetorit mes dy skuadrave përkatëse e luajtur në stadiumin “Partizani” të Beogradit dhe e ndërprerë ne minutën e ‘42, kur ndeshja ishte 0-0. Ndërprerja erdhi për shkak të konfliktit të krijuar në stadium, nga zbritja e një baneri me simbole shqiptare ndërsa, kur koret raciste serbe dhe thirrjet “vrite, vrite shqiptarin” kishin 42 minuta që dëgjoheshin në stadium. Në vendimin e saj, UEFA vendosi t’ia japë ndeshjen në tavolinë Serbisë me rezultatin 3:0, ndërsa e dënoi këtë të fundit me 100 mijë euro gjobë dhe kjo duhet të luajë dy ndeshje pa tifozë. Po kështu Serbisë i hiqen edhe tri pikë nga klasifikimi aktual i saj.

Nga ana tjetër sipas vendimit, Shqipëria dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë 0-3 dhe 100 mijë euro gjobë, për braktisje të fushës. Vendimi i UEFA për ndeshjen e futbollit pro skuadrës serbe, duke ndëshkuar skuadrën shqiptare u konsiderua i njëanshëm, i padrejtë dhe diskriminues. Ndërkohë FSHF ka bërë të ditur dje se do të apelojë vendimin e djeshëm të UEFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në Lozanë të Zvicrës. Pikat e strategjisë së mbrojtjes së Federatës Shqiptare në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv janë: a) FSHF nuk mban asnjë përgjegjësi për hyrjen e banerit fluturues në stadiumin e Partizanit, pasi nuk kishte tifozë shqiptarë në stadium. b) FSHF nuk mund të jetë përgjegjëse për mungesën e sigurisë në territorit serb, brenda dhe jashtë stadiumit. Apelimi që do të bëjë Federata Shqiptare nuk do ta shqyrtojë sërish një komision që varet nga UEFA, por një organizëm tërësisht tjetër, i cili nuk lidhet me UEFA-n.

Kjo duket se i ka dhënë shpresë zyrtarëve të Federatës Shqiptare të Futbollit që të kërkojë pikët në këtë shkallë të Apelit. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv nuk është një entitet që varet nga UEFA dhe ajo është një gjykatë e krijuar në vitin 1984, meseli qendrore në Lozanë të Zvicrës dhe ushtron juridiksion mbi të gjitha federatat ndërkombëtare të futbollit por dhe një sërë federatash ndërkombëtare të sporteve të ndryshme. Pra e thënë shkurt pala shqiptare nuk do të ankimojë thjesht vendimin e Komisionit Disiplinor të UEFA-s, por praktikisht ka paditur vetë UEFA-n në këtë gjykatë sportive. Nëse tek Komisioni Disiplinor i UEFA-s, Federata Shqiptare kishte përballë Federatën e Serbisë, tashmë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, përballë do të ketë vetë UEFA-n. Kjo gjykatë nuk mund të jetë e ndikuar dhe as nën varësinë e Platinisë, pasi Platini dhe UEFA juridikisht konsiderohen palë me të drejta të barabarta me Federatën Shqiptare kur merren në shqyrtim nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv.

Shqiptarët kundër vendimit

Vendimi i UEFA-s, që me shumë gjasa është marrë të enjten ndëshkoi dy kombëtaret, dhe Shqipërinë dhe Serbinë. I vetmi fitues nga ky duel i lënë për gjysmë por i vazhduar më pas me flamuj, grushte, thirrje raciste dhe deklarata deri në ato të nivelit më të lartë, doli Ivan Bogadanov dhe “ushtria” e tij. Thirrjet e Ivanit “të tmerrshëm”, UEFA nuk i mori parasysh. Në këtë mënyrë, dje UEFA i ka dhënë fitoren Serbisë me justifikimin se Shqipëria nuk ka pranuar të vijojë takimin e mbetur, dhe po ashtu ka ndëshkuar Serbinë me -3 pikë për dështimin e organizimit të ndeshjes. Dhënia e tre pikëve për Serbinë dhe më pas penalizmi, e barazon atë me Shqipërinë në ndëshkim, nga zero pikë secila dhe me nga një gjobë të barabartë. Por, fitorja iu dha Serbisë, qoftë si numër golash, qoftë si shpërblim moral. Ky vendim normalizon thirrjet raciste brenda dhe jashtë stadiumit për të vrarë gjithë shqiptarët. UEFA më këtë vendim legjitimon hyrjen në fushë nga tifozët me precedentë të njohur kriminale. Vendimi i UEFA-s legjitimon tmerrin që kanë kaluar lojtarët e kombëtares shqiptare në Beograd, të mbajtur nën tension nga policia, të rrahur nga tifozët dhe kujdestarët e fushës. “Neutraliteti” që ka mbajtur UEFA me këtë vendim e bën të lëkundshëm propagandën që predikon UEFA për fushatën e ashpër kundër racizmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat