Real Madrid i jep leksion Barcelonës

Sporti

Real Madrid i jep leksion Barcelonës

Më: 25 tetor 2014 Në ora: 19:53

Është Real Madrid, është kjo skuadra e ndërtuar në kufijtë e perfeksionit, janë los blancos ata që i japin një leksion futbolli Barcelonës që del e mposhtur 3-1 nga përballja më fantastike në botën e futbollit, El Clasico i mrekullive.

Atmosferë e mrekullueshme në Santiago Bernabeu aty ku tifozët merenges i prisnin katalanasit me imazhin e La Decimas për tju kujtuar se janë ata mbretërit e Europës, mbretërit e mbretërve.

Carlo Ancelotti e hidhte ekipin të rreshtuar me modulin 4-4-2 Benzema e Ronaldo sulmues dhe pas tyre James Rodriguez, Tony Kroos , Modric e Isko në mesfushë si receta për të mbytur fantazinë e blaugranave, Lajmi i madh në 11 e Luis Enriques ishte prezenca si titullar e Luis Suarez në tredhëmbëshin e sulmit bashkë me Lionel Messin dhe Neymar ndërsa i jepte një shans Xavit në mesfushë. Tensioni te yjet në Santiago Bernabeun e mbushur plot e përplot që ngriu shumë shpejt me Barcelonën që pati një fillim ëndërrash.

Pa kaluar as katër minuta katalanasit në avantazh falë klasit të Neymar por dhe mungesës së mbulimit nga Carvajal e Pepe që i mundësuan Neymar të bënte lëvizjen e tij të preferuar në kufijtë e zonës para se të ndëshkonte me rrufenë e tij Iker Casillas. I menjëhershëm reagimi i Realit me Benzema që mori nga Marcelo një asist të artë që nuk arriti ta devijonte pas shpatullave të Bravos. Los Blankos me furi përpara në kërkim të golit, në minutën e 11 Cristiano Ronaldo përparoi në të majtë për të shërbyer në kros Benzema, i pafat dy herë francezi fillimisht në goditjen me kokë që gjeti traversën ndërsa këmbëngulja dhe tentative e tij e dytë u shpërblye me topin që puthi kryqëzimin e trarëve. I pafat francezi ndërsa në minutën e 22 ishte Lionel Messi që në pak sekonda shpërdoroi dy mundësi të mira për të arritur rekordin historik të Telmo Zarras për golin e tij të 251 në La Liga, me argjentinasin që fillimisht u ndal nga Bravo ndërsa pak sekonda më vonë gaboi shumë pranë portës duke humbur një shans të shkëlqyer për golin e 2-0. Duhet të jetë penduar jo pak me rrjedhën që mori më vonë ndeshja, në minutën e 33 Reali pretendoi për një 11 metërsh për prekje të topit me dorë të Pique nga Ronaldo, Manzano nuk ishte dakord dhe vetëm pak sekonda më vonë Los Blankos arritën ti mbushin mendjen me një penallti evidente, duhet të ketë qenë e shkruar për Pique pasi në krosimin e Marcelos ishte pikërisht katalanasi që ndali topin në rrëshkitje me dorën e shtrirë duke mos i lënë dyshim Manzanos. Penallti për Realin dhe nga pika e bardhë përballë portës së padhunuar të Bravos prej 755 minutash u shfaq Cristiano Ronaldo që i dha fund rekordit të portierit kilian me golin e tij të 16 në La Liga. Pjesa e parë u mbyll me James Rodriguez që shpërdori me kokë krosimin e Marceloës ndërsa e dyta kishte rezervuar lavdinë e Realit me goleadorin që askush nuk e priste..

Minuta e 51 dhe Pepe kaloi merengesit në avantazh me goditjen e tij fitimtare me kokë në goditjen e këndit kur ndodhej i pamarkuar nga askush në zonën katalanase. Përmbysje e Realit dhe Santiago Bernabeu është i tëri blanko, stadiumi i përket sërish Los Blancos. Kaq duhej që skuadra e Ancelotit të merte krahë për të realizuar një aksion në kufijtë e perfeksionit për ta vrarë sfidën në minutën e 61. Isko përfiton nga gabimi i Iniestës për t’i rrëmbyer topin, kalim me finte i Cristiano Ronaldos te James që prezantoi para Bravos, Benzema me francezin që me të djathtën e tij coi topin aty ku nuk mund të shkonte kiliani. 3-1 për Realin e madridit, thjesht fantastike skuadra e Ancelottit.

Luis Enrique u përpoq të ndryshonte, nxorri në minutën e 69 Suarez për të future Pedron, dhe në të 72 ju desh të hiqte dorë dhe nga Iniesta me probleme fizike që i la vendin Sergi Robertos duke i mbaruar zëvendësimet, por Barca e tij nuk mundi të ndryshonte fatin e kësaj mbrëmjeje duke e mbyllur ndeshjen me një zotërim steril të topit e ndonjë tentativë të mbrojtur përballë Realit të kujdesëshëm për të mos pësuar në pritje të vërshëllimës së trefishte të Manzanos që legjitimoi festën. Përfundoi kështu një sfidë fantastike, emocionuese dhe plot spektakël por kjo tashmë për El Clasicon nuk është lajm. Lajmi është dominimi dhe fitorja e Realit që shkurton në vetëm një pikë diferencën me Barcelonën kryesuese në La Liga.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat