Real-Barcelona, superderbi i zjarrtë botëror

Sporti

Real-Barcelona, superderbi i zjarrtë botëror

Nga: K.G. Më: 24 tetor 2014 Në ora: 19:04

Real Madrid-Barcelona, pa dyshim se është derbi më i madh botëror dhe sa herë që takohen këto skuadra çojnë peshë krejt botën jo vetëm sportive. Nesër në orën 18.00, në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ballafaqohen superfuqitë, të cilat sjellin emocione të mëdha. Cristiano Ronaldo, James Rodriguez, Karim Benzema etj. te Reali dhe Lionel Messi, Neymar, Luis Suarez te Barcelona, janë yjet e futbollit që do të tregojnë mjeshtrit e tyre në fushën e lojës. Reali renditet në vend të tretë me 18 pikë, skuadër e cila synon pas nëntë jave në Spanjë t’i shkakton humbjen e parë Barcelonës, e cila kryesoren me 22 pikë, shtatë fitore, një barazim, pa humbje e me goldallim 22:00. Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, shpreson se pikët do të mbesin në vatër të tyre. “Duhet të mbrohemi në mënyrë përsosur, të sulmojmë gjithashtu në mënyrë të përsosur, pra të bëjmë gjithçka në perfeksion pasi vetëm duke zhvilluar një ndeshje të madhe në çdo sens mund ta mposhtim Barcelonën. Shoh një ekip shumë të motivuar, te Barcelona kanë ardhur lojtarë të rinj dhe pas një sezoni ku nuk kanë fituar ata janë më të vendosur se kurrë për të bërë mirë. Edhe me Luis Enriquen në bankë kanë mbajtur të njëjtin nivel loje, por tanimë janë konsoliduar shumë më tepër në mbrojtje”, tha Ancelotti, por flet edhe për lëndimet. “Pepe është mirë ashtu si edhe Ramos. Të dy janë stërvitur mirë dhe do të luajnë ndaj Barcelonës. Sa i përket Bale ai u dëmtua përpara një jave dhe nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë”, tha Ancelotti. Trajneri i Barcelonës, Luis Enrique, paralajmëron se Luis Suarez, do të jetë pjesë e lojës. “Nuk mund t’ju them se nëse Suarez do të jetë titullar apo jo por i sigurt është fakti se disa minuta në këtë sfidë ai do t’i ketë. Se sa nuk e di këtë do ta tregojë vetëm fusha e lojës”, tha Enrique. “Do t’u kërkoj të ruajnë mënyrën tonë të të luajturit futboll. Të kujtojnë virtytet e tyre por edhe defektet e kundërshtarit si dhe të dalin në fushë për të fituar”, tha Enrique, i cili ka respekt për Realin. “Reali është një skuadër që luan me përkushtim dhe që ka besim në forcat e veta. Ata janë një nga klubet më të mira të botës dhe në përbërje kanë futbollistë të klasit Botëror”, tha Enrique.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat