Iniesta: Rekordi i Messit, për fitoren e Barcelonës

Sporti

Iniesta: Rekordi i Messit, për fitoren e Barcelonës

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 20:29

30-vjecari thekson se në një përballje të tillë mes dy ekipeve tepër cilësore, ato që vendosin janë detajet.

Andres Iniesta nuk preferon të bëjë një parashikim për El Clasicon e parë të sezonit, që do të zhvillohet këtë të shtunë në “Santiago Bernabeu”. 30-vjecari thekson se në një përballje të tillë mes dy ekipeve tepër cilësore, ato që vendosin janë detajet.

“Është e vështirë të parashikosh se cfarë mund të ndodhë në El Clasico. Për shkak të rivalit dhe për detajet. Janë pikërisht detajet ato që përcaktojnë se si do të shkojë takimi. Të dyja skuadrat kanë shumë cilësi. Synimi ynë është shfrytëzojmë armët tona më të forta. Gjithmonë flasim për një betejë futbollistike, duhet të jesh më i miri në në të gjitha aspektet nëse dëshiron të fitosh”.

Edhe kjo përballje, sipas Iniestës, nuk do të ndryshojë shumë sa i përket strategjisë krahasuar me sfidat e viteve të fundit.

“Reali do të synojë të na kapë në befasi nëpërmjet kundërsulmit, ndërsa ne do të kërkojmë të jemi sa më efektivë dhe ta qarkullojmë sa më shumë topin për të minimizuar rreziqet. Ne nuk duhet të shkojmë në Madrid me mendjen se është një fushë e lehtë, duke u bazuar te fakti se kohët e fundit kemi fituar shpesh në “Santiago Bernabeu”. Duhet të kemi mentalitetin e fituesit dhe jo të mendojmë se cfarë kemi bërë në të kaluarën. Ky do të ishte një gabim i madh”.

Në mitikun “Santiago Bernabeu” Lionel Messi mund të thyejë rekordin e Telmo Zarras përsa i përket golashënuesit më të mirë në historinë e La Ligas. Don Andres golat e argjentinasit i sheh vetëm në funksion të fitores së Barcelonës.

“Barazimi është opsioni më pak i mundshëm. Sepse, nëse Messi arrin të kalojë Zarran, do të kemi më shumë mundësi për të fituar. Nëse Leo do ta thyejë në “Santiago Bernabeu” këtë rekord, kënaqësia jonë nuk do të jetë nëse e duartroket publiku, por në faktin se mund të fitojmë.”

Ndaj Los Blancos pritet të debutojë me fanellën e Barçës Luis Suarez, të cilin Iniesta e sheh në formë të shkëlqyer.

“Luis Suarez është shumë mirë, për fat të mirë ka ardhur momenti që ai të luajë. Shpresoj të ndihet mirë dhe i lumtur sikurse ka qenë gjithmonë”.

Në fund Iniesta foli me superlative edhe për Neymar, që po tregon potencialin e tij pas një viti që më shumë i shërbeu për t’u përshtatur me ambientin katalanas.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat