Ja pse e shtyu UEFA vendimin për nesër

Sporti

Ja pse e shtyu UEFA vendimin për nesër

Më: 23 tetor 2014 Në ora: 18:42

Shtyrja e befasishme e vendimit të Komisionit Disiplinor të UEFA-s për ndeshjen e ndërprerë mes Serbisë dhe Shqipërisë, mund të ketë lidhje me ndeshjen mes Partizanit të Beogradit dhe Beshiktashit në Ligën e Evropës.

Teksa të gjithë prisnim me ankth vendimin për trazirat e 14 tetorit në Beograd, UEFA njoftoi se ai do të jepet të premten pa dhënë ndonjë arsye specifike.

Kjo ka mjaftuar që mediat serbe ta lidhin këtë me takimin sotëm mes Partizanit dhe turqve të Beshiktashit, e vlefshme për fazën e grupeve në Ligën e Evropës.

Gazeta serbe “Telegraf” hedh hije dyshimi mbi këtë shtyrje duke shkruar se UEFA është duke pritur epilogun e përballjes së sotme mes dy skuadrave në stadiumin ku u dhunua Kombëtarja jonë.

Ajo shkruan më tej se nëse do të ketë sërish incidente Serbia do ta humbasë ndeshjen në tavolinë dhe do të ndëshkohet rëndë.

Pak ditë më parë tifozët e Beshkiktashit paralajmëruan se do të valëvisnin në Beograd flamurin shqiptar në shenjë mbështetje për Shqipërinë. Kaq ka mjaftuar që autoritetet serbe të ndalnin për disa orë në aeroport shumë tifozë turq duke ushtruar kontrolle të imtësishme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat