Serena Williams pëson humbjen më të rëndë

Sporti

Serena Williams pëson humbjen më të rëndë

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 20:44

Numri 1 i botës rrezikon seriozisht të eliminohet që në fazën e grupeve.

Serena Williams pëson humbjen më të rëndë në 16 vjet dhe pas disfatës me tenisten rumune Simona Halep numri 1 i botës rrezikon seriozisht të eliminohet që në fazën e grupeve. Në “Singapore Indoor Stadium” në finalet e tetë tenisteve më të mira të vitit motra e vogël Williams pësoi një humbje shokuese duke fituar vetëm 2 game gjithsej.

Të dy tenistet u vunë përballë njëra – tjetrës me nga një fitore secila, pas fitoreve respektive në vetëm dy sete ndaj Ana Ivanovic dhe Eugenie Bouchard. Serena kryesonte 3-0 në bilancin e përgjithshëm ndërmjet tyre dhe 33-vjecarja nga Michigani kishte humbur vetëm një set ndaj kësaj kundërshtareje, edhe atë 3 vjet më parë në Ëimbledon, sidoqoftë kampionia në fuqi u dominua në setin hapës dhe për pasojë 4 herë kampionia e WTA Tour Championships u mund me 0 në vetëm 21’.

Në setin pasardhës veterania amerikane thjesht sa bëri dicka më tepër rezistencë sepse në fund numri 4 i botës Halep mbylli gjithë takimin me shifrat 6-0, 6-2 në 65’ lojë. Kështu Serena Williams ndalet në 16 fitore radhazi në këtë aktivitet dhe kurioz është fakti se disfatën e fundit në këtë kompeticion ia kishte shkaktuar motra e madhe Venus, në Doha 6 vjet më parë. 23-vjecarja rumune në fund të sfidës deklaroi se luajti ndeshjen më të mirë në karrierë, ndërsa Serena në krahun tjetër rrëfeu se edhe në kategorinë e të rejave kur ishte fare adoleshente kishte shërbyer më mirë. Rezultati i përgjithshëm i pikëve në fund ishte 60-35 natyrisht në favor të tenistes nga Konstanca, gjithsesi 18-herë fituesja e turneve Slam deri më tani konsideronte si humbjen më poshtëruese atë 6-1, 6-1 të pësuar 16 vjet më parë në Oklahoma City nga Joannette Kruger. Në ndeshjen tjetër të Grupit të Kuq Ana Ivanovic siguroi suksesin e parë në këto finale dhe njëkohësisht edhe fitoren e parë në karrierë në tre përballje, ndaj kanadezes Eugenie Bouchard.

Tenistja serbe që mban numrin 7 të këtij turneu dominoi që në fillim 20-vjecaren nga Montreali duke e mposhtur rivalen e saj në aspektin psikologjik. Situata ndryshoi disi në setin e dytë dhe takimi ishte më i ekuilibruar, sidoqoftë në fund 26-vjecarja nga Beogradi e theu plot 5 herë në servis numrin 5 të këtij eventi duke mbyllur krejt ndeshjen me rezultatin 6-1, 6-3, në 82’ gjithsej. Pas këtyre rezultateve Genie Bouchard është pothuajse e skualifikuar, ndërsa fati i kampiones në fuqi do të varet pikërishtë nga ndeshjet përmbyllëse të këtij grupi: Serena Williams – Eugenie Bouchard dhe Simona Halep – Ana Ivanovic.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat