Ja se si do të mbrohet FSHF-ja në UEFA

Sporti

Ja se si do të mbrohet FSHF-ja në UEFA

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 18:28

Federata Shqiptare e Futbollit informon median dhe opinionin në lidhje me hapat që ka ndërmarrë për paraqitjen e dokumenteve në Komisionin e Kontrollit të Etikës dhe të Disiplinës pranë UEFA-s, i cili do të mblidhet nesër në Zvicër.
Me njoftimin e akuzave të ngritura kundër Shqipërisë, FSHF-ja, nën drejtimin e zyrës së saj ligjore “Haxhia & Hajdari”, ka filluar mbledhjen e materialeve provuese dhe përgatitjen e mbrojtjes. Përpilimi i argumentave juridikë të mbrojtjes dhe këshillimi ligjor në lidhje me çështjen i është besuar dy zyrave të mirënjohura ligjore në fushën e të drejtës sportive: “Littleton Chambers” në Londër dhe “Levy Kaufmann-Kohler” e bazuar në Gjenevë. FSHF-ja kërkon gjithashtu të falenderojë të gjithë ata profesionistë, të cilët kanë ofruar ndihmën e tyre dhe kanë qenë të gatshëm për përfaqësimin e çështjes. Një falenderim i veçantë u drejtohet gjithashtu të gjithë sportdashësve shqiptarë, të cilët kanë ndihmuar në mbledhjen e materialeve video dhe fotografike.
Materiali i mbrojtjes, i cili është përmbledhur si më poshtë, ka përfunduar brenda kohës më të shkurtër të mundshme dhe është dorëzuar në UEFA ditën e martë, më datë 21.10.2014. Në material theksohet që në ndeshjen Serbi-Shqipëri të datës 14.10.2014, fubollistët e Shqipërisë kanë qenë viktimë e dhunës fizike dhe verbale, e shoqëruar me thirrje raciste. Në lidhje me thirrjet raciste, një kërkesë e veçantë i është dërguar UEFA-s ditën e hënë për përfshirjen e tyre në procedurën e hapur dhe zgjerimin e akuzave kundër Serbisë. Të gjitha këto shkelje janë të provuara nëpërmjet pamjeve filmike dhe raporteve mjekësore, të cilat janë depozituar pranë UEFA-s. Futbollistët e Shqipërisë nuk kanë refuzuar të luajnë, por vazhdimi i lojës ka qenë i pamundur si pasojë e drejtpërdrejtë e dëmtimeve fizike dhe psikologjike prej sulmeve të pakontrollueshme të tifozëve serbë, të punonjësve të sigurisë dhe, në disa raste të izoluara, edhe të vetë futbollistëve serbë.
Siç rezulton edhe prej raportit të delegatit të Sigurisë të UEFA-s, janë evidentuar shkelje të rënda si:
1. Mungesa e sigurisë së nevojshme të fushës së lojës,
2. Sjellja shumë e keqe e tifozëve.
3.Menaxhimi i dobët i stadiumit.
4. Gjendja e keqe e stadiumit deri në konstatimin e faktit të rëndë që policia “nuk mund të mbrojë lojtarët dhe arbitrat”.
5. Si pasojë e sa më sipër rezulton qartësisht që nuk janë siguruar kushtet e barabarta për vazhdimin e ndeshjes së futbollit.
Në mbështetje të neneve 21(1), 6(1) g) dhe 21 (4) a) të Rregullores së Disiplinës, jo vetëm që shkelja për të cilën është akuzuar FSHF-ja duhet të rrëzohet, por FSHF-ja ka kërkuar edhe fitoren 3-0 në tavolinë.
Përsa i përket akuzës së banerit të paligjshëm, që u shfaq mbi fushën e lojës, ajo duhet rrëzuar, ndër të tjera për arsyet e mëposhtme:
1. Në stadium nuk ka pasur tifozë të Shqipërisë, përveç futbollistëve dhe delegacionit;
2. Si futbollistët, ashtu edhe delegacioni, janë kontrolluar nga policia pas ndeshjes dhe nuk është gjetur asnjë objekt për pilotimin e helikopterit;
3. Baneri ka ardhur nga zona jugore prapa portës, zonë e cila ka qenë me tifozë serbë, të cilët nuk kanë qenë të kontrolluar nga policia, meqenëse kanë mundur të fusin në stadium flamuj politikë, sende të forta si dhe një fuçi.
4. Për të gjitha këto arsye është e pamundur të përcaktohet autori i incidentit dhe fakti që ky i fundit është shqiptar (territori i hartës në baner është më i gjerë se territori i Republikës së Shqipërisë).
Si përfundim, FSHF-ja informon se vendimi i marrë nga UEFA mund të jetë objekt i apelimit pranë Gjykatës të Arbitrazhit të Sportit.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat