Kosova pret mbështetjen e KON

Sporti

Kosova pret mbështetjen e KON

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 15:36

Në mbledhjen e Bordit ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, e cila ka nisur të mërkurën në Lozanë të Zvicrës dhe që do të vazhdoj deri të premten, do të shqyrtohet edhe kërkesa e Komitetit Olimpik të Kosovës për pranimin e kësaj të fundit në këtë organizatë botërore të sportit.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ai vlerëson se Komiteti Olimpik i Kosovës ka përmbushur kriteret, të cilat i parasheh statuti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, siç janë njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës, si dhe pranimi i më shumë se 5 federatave sportive të Kosovës nga federatat gjegjëse ndërkombëtare.

“Kriteri është me qenë shtet i pavarur dhe njohur nga komuniteti ndërkombëtar, e jo nga Kombet e Bashkuara. Vetvetiu, pasi që jemi të njohur nga 108 shtete anëtare të Kombeve të bashkuara, kjo paraqet 56 për qind të shteteve anëtare. Kështu që ekemi plotësuar këtë kriter, që është më shumë me karakter politik. E dyta, është një kriter teknik, ku thuhet që së paku 5 federata ndërkombëtare duhet t’i kenë njohur federatat përkatëse në nivel kombëtar, në këtë rast të Kosovës. ne i kemi, tashmë, 13 federata të tilla”, thotë Hasani.

Në anën tjetër, Komiteti Olimpik i Serbisë, tashmë ka nxjerrë një komunikatë, përmes të cilës i ka theksuar se ky komitet ka informacione se Komiteti Olimpik ndërkombëtar është i gatshëm ta pranojë Kosovën, si anëtare e barabartë olimpike në këtë organizatë.

“Kemi informacione që anëtarët e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar janë të gatshëm që kësaj radhe t’i japin mbështetje kësaj iniciative edhe pse ne, në bashkëpunim me institucionet shtetërore kompetente, në disa raste kemi insistuar që aktivitetet e tilla janë të papranueshme. Një pranim i tillë do të paraqiste një përjashtim, i cili nuk ka ndodhur në historinë e vonshme, duke pasur parasysh që në atë periudhë, asnjë Komitet Olimpik kombëtar nuk është pranuar si anëtarë i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, e që paraprakisht ai vend të mos jetë i pranuar nga Kombet e Bashkuara”, thuhet në komunikatën e Komitetit Olimpik të Serbisë.

Ky i fundit, edhe më parë ka bërë presion në organizatën ndërkombëtare olimpike, në mënyrë që ta pengojë pranimin e Kosovës si anëtare të barabartë.

Presionin e tillë e presin edhe më tutje përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, por sipas Hasanit, Serbia, përveç lobimit që mund ta bëj në këtë drejtim, nuk ka fuqi që të ndikoj në vendim-marrjen e Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë..

“Përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Serbisë as nuk janë në Bordin ekzekutiv e as nuk janë në sesionin, që e paraqet një lloj asambleje. Kështu që ndikimi direkt i tyre është gati minor. Ndërsa, lobimet janë të lejuara, por unë konsideroj se Komiteti Olimpi i Serbisë, por edhe institucionet tjera, duhet ‘ta ulin topin’ dhe duhet ta kuptojnë realitetin”, thekson ai.

Ndryshe, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, përgjegjëse për sportin, janë mjaft optimist se epilogu i mbledhjes së Bordit ekzekutiv të Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, lidhur me Kosovën, do të jetë pozitiv dhe se do të dominoj qasja për ta respektuar sportin dhe jo politikën.

Pritje të ngjashme kanë edhe zyrtarët e institucioneve qeveritare për gjegjëse për sportin në Kosovë. Malsor Gjonbalaj, këshilltar i ministrit në largim të Kulturës Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se përpjekjet tash e 4 vjet të Kosovës për tu bërë anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, presin që të përmbushin pritjet e sportistëve të Kosovës.

“Të gjitha punët, të cilat janë varur prej neve, në mbështetje të Komitetit Olimpik trë Kosovës, janë kryer. Të gjitha kontaktet e mundshme, jo vetëm tani, por qe 4 vjet, që i ka pasur edhe ministri Krasniqi, së bashku me zyrtarët e KOK-ut, mendoj se janë të gjitha në drejtimin e duhur. Kështu që , nuk ka arsye që të mos presim ndonjë përgjigje pozitive”, tha Krasniqi.

Në qoftë se Bordit ekzekutiv i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë do të vendos pozitivisht lidhur me kërkesën e Kosovës për pranim në këtë organizatë të sportit, atëherë çështja do të dërgohet në shkallën më të lartë, në Sesionin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, i cili është kompetent të vendos lidhur me pranimin e Kosovës, si anëtare me të drejta të plota.

Sesioni i Komitetit Olimpik Ndërkombëtarë, do ta mbajë takimin në dhjetor të këtij viti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat