Duka: Kam frikë nga politika

Sporti

Duka: Kam frikë nga politika

Më: 22 tetor 2014 Në ora: 14:21

Fitorja në tavolinë është opsioni i vetëm i menduar nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët kanë zbarkuar në Nyon të Zvicrës për të mbrojtur çështjen kuqezi në komisionin e disiplinës pas ngjarjeve të turpshme në sfidën e Beogradit, Serbi-Shqipëri. Lajmin e konfirmon vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për ‘Sport News’ tregon pritshmëritë e palës sonë për vendimin e disiplinës. "Komisioni i disiplinës ka marrë informacionet zyrtare dhe pretendimet e të dyja palëve dhe më pas do të marrë një vendim të drejtë sportiv, si për ne edhe për serbët, pasi kështu edhe ata do të korrigjohen në të ardhmen. Kështu mund t'i rikthejë futbollin atyre, duke ndëshkuar organizatorët e ndeshjes dhe duke dhënë fitoren në tavolinë për Shqipërinë", tha Duka. Presidenti Duka beson për një vendim sportiv të çështjes edhe pse pranon se ka presion politik për këtë vendim. “Kemi radhitur çdo gjë mirë për t'i treguar komisionit se çfarë ndodhi në Beograd. Kjo është shkruar nga specialistët më të mirë. Kam frikë nga politika, ka presion politik nga të gjitha anët, por shpresoj që komisioni të marrë një vendim sportiv mbi faktet dhe rregulloren sportive. Mbi vendimin politik nuk kemi çfarë të bëjmë. Nuk e kam lexuar në asnjë rregullore se ç'mund të bëhet në ndeshjen e kthimit. Riluajtja e takimit nuk ekziston si mundësi, pasi me rregullore riluajtja ose rifillimi i tij bëhet vetëm nëse ajo ndërpritet për forca madhore dhe jo për pushtim të fushës”, tha Duka.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat